Flash News

Kosova

E arta e parë e Kosovës, Majlinda Kelmendi i jep fund karrierës në xhudo

E arta e parë e Kosovës, Majlinda Kelmendi i jep fund karrierës

Sportistja kosovare Majlinda Kelmendi i ka dhënë fund karrierës së saj në xhudo.  Kjo tërheqje vjen pas Lojrave Olimpike "Tokyo 2020", ku sportistaj nuk arriti dot të shkëlqente, pasi u mund që në raundin e parë nga xhudistja hungareze, Reka Pupp në kategorinë deri në 52 kilogramë.

Lajmin e ka bërë me dije vetë Majlinda Kelmendi në një deklaratë për mediat kosovare, e cila thotë se gara në Tokyo ishte e fundit për të dhe se më nuk do të vazhdojë në garat tjera.

"Unë ndoshta këtë vit kam qenë në dyshime a të largohem apo të vazhdoj, për shkak të lëndimeve. Por në momentin e fundit kam vendosur për hatër të Tonit të vazhdoj, të garoj në Lojëra Olimpike. Fatkeqësisht nuk shkoi si duhet, nuk është se nuk isha në formë, por nuk ishte dita ime. Për mua kjo ka qenë gara e fundit, nuk e kam pritur që gara e fundit në karrierë do të shkojë kështu. Ishte e shkruar, krejt i kam fituar. I kam sjellë Kosovës mjaft emocione, mjaft lot është radha e tjerëve. Do të jem afër Tonit me u mundu me nxjerrë talente tjera prej Kosovës”, ka thënë Kelmendi për KTV-në.

Majlinda Kelmendi ka garuar në tri Olimpiada, ndërsa në “Rio 2016” i solli Kosovës medaljen e parë olimpike, dhe atë të artë.

30-vjeçarja ka fituar edhe dy tituj të botës, si dhe e ka një medalje të bronztë botërore. Ndërkohë i ka katër të arta evropiane e një të bronztë. Ka fituar shumë turne Grand Slam e Grand Prix, si dhe një herë Mastersin.

E arta e parë e Kosovës, Majlinda Kelmendi i jep fund karrierës

Të fundit