Flash News

Kosova

6 deputetë serbë njohin pavarësinë e Kosovës, Kurti: Beogradi të distancohet nga e kaluara e përgjakshme

6 deputetë serbë njohin pavarësinë e Kosovës, Kurti:

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pritur sot në zyrën e tij në një takim gjashtë nga deputetët e Kuvendit Popullor të Serbisë për të diskutuar lidhur me njohjen e pavarësisë dhe shtetit të Kosovës.

Lajmi është bërë i ditur përmes një njoftimi nga zyra e kryeministrit. Kryetari i Partisë Aksioni Demokratik i Sanxhakut, Sylejman Ugljanin, shefi i grupit parlamentar "Lugina e Bashkuar- SDA Sanxhak", Shaip Kamberi, deputetët Enis Imamoviq, Nadije Beqiri, Mirsad Hodzhiq, Argjend Bajrami, Selma Kuçeviq, i shprehën kryeministrit Kurti përkrahjen e tyre në çështjen e njohjes së pavarësisë.

Kryetari i SDA, Sylejman Ugljanin theksoi se ai dhe deputetët e koalicionit "Lugina e Bashkuar- SDA Sanxhak" e njohin pavarësinë dhe shtetin e Kosovës.

Ai ka falënderuar kryeministrin Kurti për miratimin e rezolutës që dënon gjenocidin e Srebrenicës, duke theksuar se boshnjakët i janë mirënjohës Kuvendit të Kosovës që u vendos në anën së drejtës dhe dënoi krimin më të rëndë në Evropë, pas Luftës së Dytë Botërore ku u vranë dhe u masakruan 8000 burra e djem boshnjakë brenda një dite nga forcat serbe. Ulgjanin vlerësoi përpjekjen e qeverisë Kurti për vendosjen e reciprocitetit të të drejtave të pakicave kombëtare në Kosovë dhe në Serbi.

Sipas njoftimit të zyrës së kryeministrit, deputetët njoftuan kryeministrin Kurti për funksionin e organeve ekzekutive të Këshillave Nacionalë, ku Këshilli Nacional Boshnjak në Serbi ka 35 anëtarë dhe 7 delegatë në bordin ekzekutiv, ndërsa Asambleja e Këshillit Nacional Shqiptar ka 15 anëtarë.

Kryeministri Kurti theksoi se gjysma e Sanxhakut është pjesë e NATO-s dhe gjysma tjetër jo, për shkak se një pjesë ndodhet në Serbi dhe një pjesë në Mal të Zi. Kurti i ka bërë thirrje Serbisë të qëndrojë larg nga e kaluara e përgjakshme dhe politika e Sllobodan Milosheviçit, pasi vetëm kështu mund të ecet drejt normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

Të fundit