Flash News

Kosova

Gjykata Speciale i vazhdon paraburgimin Thaçit: Rreziqet për arratisje mbeten të pranishme

Gjykata Speciale i vazhdon paraburgimin Thaçit: Rreziqet për

Gjykata Speciale e Kosovës në Hagë ka vendosur t'ia vazhdojë paraburgimin e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, në kuadër të çështjes që lidhet me akuzat për pengim të drejtësisë.

Vendimi është marrë nga gjykatësja Marjorie Masselot, e cila theksoi se rreziqet për arratisje, pengim të drejtësisë dhe kryerje të veprave të tjera penale mbeten të pranishme.

Sipas gjykatës, ekziston dyshimi i arsyeshëm se Thaçi ka kryer veprat penale të shpalljes së sekretit zyrtar, fyerjes ndaj gjykatës dhe pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave të tyre.

Akuzat burojnë nga hetimet që lidhen me procesin tjetër gjyqësor në të cilin Thaçi po përballet me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Gjykata i ka dhënë afat Thaçit që, nëse dëshiron, të paraqesë parashtresat e tij lidhur me shqyrtimin e radhës të paraburgimit deri më 27 qershor 2025. Në rast se nuk dorëzon parashtresa, Prokuroria Speciale duhet të bëjë paraqitjet e saj deri më 7 korrik 2025.

 

 

Të fundit