Flash News

Kosova

Gjykimi i ish-krerëve të UÇK-së, nis sot faza përmbyllëse në Hagë

Gjykimi i ish-krerëve të UÇK-së, nis sot faza

Gjykimi ndaj ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës hyn sot në fazën përmbyllëse, me fillimin e deklaratave përfundimtare në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Pas përfundimit të paraqitjes së provave dhe dëshmive nga Prokuroria dhe ekipet mbrojtëse, kjo fazë përfaqëson hapin e fundit përpara shpalljes së vendimit përfundimtar nga trupi gjykues i Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.

Deklaratat përmbyllëse janë planifikuar të zhvillohen nga 9 deri më 18 shkurt. Fillimisht do të paraqitet Prokuroria, më pas mbrojtja e të akuzuarve, ndërsa në fund pritet edhe fjala e vetë të akuzuarve, nëse ata vendosin të shprehen.

Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë njoftuar se të gjitha përgatitjet për këtë fazë të rëndësishme janë përmbyllur. Sipas njoftimit zyrtar, konfirmimet janë dërguar për të gjithë personat që do të ndjekin seancat e deklaratave përmbyllëse, të cilat do të mbahen në objektin e DHSK-së gjatë periudhës 9–13 shkurt.

Po ashtu, nga Gjykata Speciale është bërë e ditur se interesimi për të ndjekur seancat ka qenë shumë i madh, ndërsa kapacitetet për publikun kanë qenë të kufizuara.

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryetarët e Kuvendit Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputeti Rexhep Selimi, janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha akuzat.

Ata përballen me akuza për krime lufte, përfshirë ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, si dhe për krime kundër njerëzimit, si burgosje, akte çnjerëzore, zhdukje me forcë dhe përndjekje.

Të fundit