Flash News

Kosova

Gjyqi në Hagë, Prokuroria kërkon dënim prej 45 vitesh burg për ish-krerët e UÇK-së

Gjyqi në Hagë, Prokuroria kërkon dënim prej 45 vitesh burg

Ka nisur në Hagë faza përfundimtare e gjykimit ndaj ish-udhëheqësit të UÇK-së, Hashim Thaçi dhe Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit, për krime të luftës dhe kundër njerëzimit gjatë luftës në Kosovë.

Prokurorja e Zyrës së Prokurorit Special (ZPS), Kimberly West po vazhdon me parashtrimin e deklaratave përmbyllëse, ku theksoi se pavarësisht frikës dhe stigmatizimit me të cilin janë përballur dëshmitarët dhe familjet e tyre, ata kanë vendosur të zbardhin drejtësinë.

"Pavarësisht frikës, stigmës dhe situatave me të cilat janë përballur dëshmitarët dhe familjarët e tyre nga një grup i kufizuar, por me zë, në Kosovë, këta dëshmitarë e kanë dëshiruar kaq shumë të vërtetën që të dalë në pah, prandaj pavarësisht kësaj kanë përzgjedhur të bashkëpunojnë me zyrën time dhe të japin dëshmi para kësaj gjykate”, tha prokurorja.

West, në fjalën e saj në seancën përmbyllëse të gjyqit më të madh ndaj Thaçit dhe të tjerëve, ka folur për dënimet që mund t’i marrin ish-krerët e UÇK-së.

Sipas saj, dënimi mund të shkojë deri në 45 vjet, siç tha ajo, për krime të rënda lufte.

“ZPS-ja kërkon vendim dënimin e personave konkret, jo për shtabin e përgjithshëm, por për persona konkretë. ZPS-ja kërkon dënim për të gjithë pikat e aktakuzës, prej 45 vitesh, mbështetur në kontributet individuale, të kryera prej secilit prej personave. Këto krime janë lufte, krime kundër njerëzimit, e janë të rënda në natyrë, e këto akuza, nuk e kanë humbur vlerën e tyre me kalimin e kohës”, tha ajo.

Në këtë fazë, prokuroria, ekipet mbrojtëse dhe ish-krerët e UÇK-së do të kenë mundësinë që për herë të fundit t’i paraqesin trupit gjykues argumentet dhe parashtrimet e tyre përfundimtare.

Të fundit