Flash News

Kosova

U kaloi afati i skadencës, Kosova heq nga përdorimi mbi 133 mijë vaksina AstraZeneca

U kaloi afati i skadencës, Kosova heq nga përdorimi mbi 133 mijë
Në foto/ Vaksina AstraZeneca

Kosova ka bllokuar përdorimin e 133 mijë e 234 vaksina AstraZeneca për shkak se iu kishte skaduar afati. Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Sheëndetësisë, Arben Vitia i cili theksoi se këto vaksina kanë qenë një donacion nga Norvegjia.

Vitia shtoi se ka pasur shumë dezinformata lidhur me afatin e skadencës së vaksinave edhe nga politikanët, çka ka ndikuar në uljen e interesimit të qytetarëve për të kryer vaksinat.

“Sot janë hequr nga administrimi 133 mijë e 234 vaksina nga kompania AstraZeneca pjesë e donacionit nga Norvegjia të cilave iu ka skaduar afati. Natyrisht se kjo nuk është një lajm i mirë, si MSH qysh në fillim kemi lajmëruar se afati i tyre është 31 gushti i këtij viti. Pavarësisht kësaj ka pasur edhe shumë dezinformata përfshirë fatkeqësisht këtu edhe deputetë të Kuvendit të Republikës për afatin e këtyre vaksinave. Përveç të tjerash kjo ka ndikuar dukshëm në uljen e interesimit të qytetarëve për të marrë këtë vaksinë deri në refuzim të marrjes së këtyre vaksinave. Natyrisht ashtu siç e kemi cekur disa herë, në ballafaqim me pandeminë e sidomos pas përhapjes së variantit delta ne nuk jemi në situatë kur duhet të zgjedhim vaksinat, sidomos kur ato janë të sigurta”, tha ai.

Edhe pas heqjes nga përdorimi të një pjese të vaksinave AstraZeneca, Vitia shtoi se ka mjaftueshëm doza për të vijuar me procesin e vaksinimit. Në qendrat e vaksinimit në të gjithë vendit janë aktualisht afro 108 mijë e 856 doza Pfizer dhe 46 mijë e 947 doza AstraZeneca.

Vitia tha se të gjitha vaksinat që janë stoqe në ambientet e Ministrisë së Shëndetësisë janë të sigurta, teksa shtoi se javën e ardhshme pritet të vijë një dërgesë me 150 mijë vaksina nga Gjermania.

“Vaksinat që janë në stoqet tona janë vaksina të sigurta dhe për këtë jo vetëm ne, garantojnë edhe mekanizma si OBSH, ECDC e mbi të gjitha EMA dhe FDA. Ju siguroj se aktualisht kemi mjaftueshëm vaksina dhe nuk do të lejojmë në asnjë moment që stoqet tona të mbeten pa to për asnjë moment të vetëm. Presim në fund të kësaj jave ose në fillim të javës tjetër të marrin edhe 150 mijë vaksina nga Gjermania dhe një javë më pas, pra në javën e tretë të shtatorit edhe 100 mijë të tjera nga Italia. Janë donacione të miqve tanë që në këtë kohë janë treguar solidar dhe ju jemi çdo herë mirënjohës për këtë çështje. Edhe këto vaksina janë AstraZeneca me afat deri në nëntorin e këtij viti, por gjithashtu presim në fillim të javës tjetër të vijnë edhe pjesa tjetër e vaksinave të prodhuara nga kompania Pfizer përmes COVAX nga donacioni i SHBA-ve prej 500 mijë dozave. Si dhe mbi 200 mijë doza nga kontrata bilaterale që kemi me kompaninë Pfizer dhe të cilat vazhdojnë të vijnë në fillim të çdo jave. Me një fjalë do të kemi mjaftueshëm vaksina”, tha Vitia.

 

Të fundit