Flash News

Kosova

Kërcënimi ndaj Presidentes Osmani, KMDLNj: Rrezik për sigurinë dhe demokracinë

Kërcënimi ndaj Presidentes Osmani, KMDLNj: Rrezik për

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka reaguar ashpër ndaj kërcënimeve me jetë që, sipas raportimeve, i janë dërguar Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, përmes postës elektronike. Në deklaratën e publikuar, KMDLNj shpreh shqetësim të thellë për rritjen e përdorimit të kërcënimeve si mjet për përfitime politike, duke e konsideruar këtë një trend alarmues në skenën politike të vendit.

Sipas KMDLNj-së, kërcënimet nuk kanë lidhje me funksionin kushtetues të Presidentes, duke lënë të nënkuptohet se motivet prapa tyre janë politike. Organizata nënvizon se fenomeni i kërcënimeve po zgjerohet edhe ndaj gazetarëve dhe figurave të tjera publike, ndërkohë që ndëshkimet për këto raste vazhdojnë të jenë “thuajse simbolike”.

“Kohëve të fundit, shkaku i një eskalimi të raporteve ndërpartiake, është sforcuar kërcënimi si mjet për arritjen e qëllimeve politike,” thuhet në reagimin e KMDLNj.
Organizata i bën thirrje Policisë së Kosovës që të veprojë menjëherë dhe me seriozitet në hetimin e këtij rasti, duke kërkuar identifikimin dhe ndalimin sa më të shpejtë të personit përgjegjës.

“Policia e Kosovës ka kapacitet të mjaftueshëm profesional dhe përvojë të suksesshme në trajtimin e këtyre rasteve, andaj pritet që kërcënuesi të arrestohet shpejt dhe të japë përgjegjësi para ligjit,” theksohet më tej në reagim.
Ndërkohë, bashkëshorti i Presidentes, Prindon Sadriu, ka reaguar përmes një postimi në Facebook, ku tregon se kërcënimet janë të përsëritura dhe të drejtpërdrejta, jo vetëm ndaj Presidentes, por edhe ndaj anëtarëve të familjes së saj. Ai paralajmëron se kjo situatë paraqet rrezik serioz për sigurinë e familjes, por edhe për stabilitetin institucional të vendit.

Sadriu thekson se kërcënimet janë bërë nga profile anonime por edhe nga persona publikë dhe i cilëson ato si thirrje të hapura për dhunë. Ai gjithashtu kritikon heshtjen institucionale, të cilën e konsideron si bashkëfajësi dhe nxitje indirekte të kësaj klime kërcënuese.

Të fundit