Flash News

Kosova

Kosova merr vendimin, dërgon Forcat e Sigurisë në mision ndërkombëtar stabilizues në Gaza

Kosova merr vendimin, dërgon Forcat e Sigurisë në mision

Kuvendi i Kosovës ka miratuar me shumicë dërrmuese votash propozimin e Qeverisë për të dërguar Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK) në një mision ndërkombëtar stabilizues në Rripin e Gazës. Vendimi u mor të premten me 89 vota për, pa asnjë kundër dhe asnjë abstenim, duke kaluar pragun e nevojshëm prej dy të tretave të votave.

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, theksoi rëndësinë e këtij angazhimi, duke e cilësuar si një hap që forcon profilin ndërkombëtar të Kosovës dhe e pozicionon atë si një kontribuuese aktive në paqen dhe sigurinë globale.

“Përmes këtij angazhimi, Kosova dëshmon që është partner i besueshëm, i përgjegjshëm dhe i gatshëm të veprojë krah aleatëve në mbështetje të paqes, sigurisë, mbrojtjes së civilëve dhe mandateve ndërkombëtare”, deklaroi ministri Maqedonci.

Dërgimi i trupave të FSK-së do të bëhet në kuadër të Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese (FNS), një mekanizëm i krijuar si pjesë e nismës “Bordi i Paqes”, propozuar nga presidenti amerikan Donald Trump. Kosova i bashkohet një grupi prej pesë shtetesh themeluese të këtij misioni, përkrah Indonezisë, Marokut, Kazakistanit dhe Shqipërisë, me synim mbikëqyrjen e armëpushimit dhe ofrimin e sigurisë në Gaza.

Misioni i FNS-së synon të stabilizojë situatën pas konfliktit që filloi në tetor 2023, kur Hamasi sulmoi Izraelin, duke shkaktuar një krizë të thellë humanitare dhe sigurie në rajon.

 

Të fundit