Flash News

Kosova

Kosova voton nesër për të katërtën herë brenda vitit, në përfaqësitë diplomatike procesi nisi që sot

Kosova voton nesër për të katërtën herë brenda

Të dielën, më 28 dhjetor, qytetarët e Kosovës do t’u drejtohen sërish kutive të votimit për zgjedhjet parlamentare, duke shënuar herën e katërt brenda këtij viti që zhvillohet një proces zgjedhor në vend.

Pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, zgjedhjeve lokale të 12 tetorit dhe balotazhit të zhvilluar më pas, qytetarët janë thirrur edhe një herë për të përcaktuar përbërjen e re të Kuvendit të Kosovës. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar tashmë të dhënat zyrtare lidhur me organizimin dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor të 28 dhjetorit.

Sipas KQZ-së, për këto zgjedhje janë regjistruar gjithsej 2,076,290 qytetarë me të drejtë vote. Brenda territorit të Kosovës, votimi do të organizohet në 948 qendra votimi, me gjithsej 2,614 vendvotime të shpërndara në të gjithë vendin.

Votimi do të zhvillohet edhe jashtë Kosovës. Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës  votimi fizik në përfaqësitë diplomatike ka nisur sot, më 27 dhjetor, një ditë para zgjedhjeve në Kosovë.  

Procesi i votimit jashtë vendit do të zhvillohet në 40 vendvotime që u përkasin 16 ambasadave dhe 13 konsullatave të Kosovës, të shpërndara në 18 shtete të ndryshme.

Ndërkohë, për këto zgjedhje parlamentare janë certifikuar gjithsej 22 subjekte politike, përfshirë 18 parti politike, 3 koalicione parazgjedhore, 2 iniciativa qytetare si dhe një kandidat i pavarur. Për të garantuar mbarëvajtjen e procesit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka akredituar rreth 860 vëzhgues vendorë dhe ndërkombëtarë.

Institucionet përgjegjëse kanë bërë të ditur se janë paraparë mekanizma të posaçëm mbikëqyrës dhe procedura standarde për të garantuar transparencën, rregullsinë dhe integritetin e procesit zgjedhor.

 

Të fundit