Flash News

Kosova

"Kosovës t’i hiqen masat menjëherë", Ursula von der Leyen merr letër nga deputetët e PE-së

"Kosovës t’i hiqen masat menjëherë", Ursula von

Një grup deputetësh të Parlamentit Evropian i është drejtuar me një letër Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe Komisioneres për Zgjerim, Marta Kos, duke kërkuar heqjen e menjëhershme të të gjitha masave ndëshkuese ndaj Kosovës.

Lajmi është bërë publik nga raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras, përmes një postimi në platformën X, ku ai ka publikuar edhe letrën zyrtare drejtuar drejtuesve të lartë të Komisionit Evropian. 

Në dokument, eurodeputetët e cilësojnë vendimin e Komisionit Evropian për vendosjen e masave në vitin 2023 si të padrejtë, joproporcional dhe kundërproduktiv që në fillim.

Sipas tyre, këto masa nuk kanë sjellë asnjë rezultat pozitiv dhe kanë ndikuar vetëm në përkeqësimin e perceptimit të qytetarëve të Kosovës ndaj Bashkimit Evropian.

Deputetët theksojnë se pasojat negative të masave janë ndjerë gjerësisht në shoqërinë kosovare, duke prekur sektorë të rëndësishëm si shoqëria civile, kultura, arsimi, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, si edhe sektori i energjisë.

Në letër nënvizohet se ndikimi më i madh i këtyre masave reflektohet në jetën lokale dhe se ndëshkimi i qytetarëve të Kosovës përmes kufizimeve të tilla duhet të marrë fund plotësisht. Eurodeputetët vlerësojnë se heqja e pjesshme e masave nuk është e mjaftueshme dhe kërkojnë eliminimin e tyre të plotë.

Në përfundim, ata i bëjnë thirrje Komisionit Evropian që t’i japë fund menjëherë masave ndëshkuese ndaj Kosovës, duke theksuar se ky vendim duhet të merret përpara zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës, të planifikuara për 28 dhjetor 2025.

"Kosovës t’i hiqen masat menjëherë", Ursula von

Të fundit