Flash News

Kosova

Kryeparlamentari i Kosovës mesazh Tiranës zyrtare: Të jemi brenda një kornize me Shqipërinë në gjykimin për Serbinë!

Kryeparlamentari i Kosovës mesazh Tiranës zyrtare: Të jemi

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ishte sot në Tiranë për një vizitë, ku u takua me homologen, Lindita Nikolla. Në konferencën e përbashkët, ai dha mesazh të qartë, që qëndrimi i Shqipërisë duhet të jetë i njëjtë me Kosovën, kur bëhet fjalë për Serbinë.

Kujtojmë që kryeministri Edi Rama e ka mbrojtur jo pak herë Serbinë, çka ka sjellë edhe marrëdhënie të tensionuara mes Tiranës dhe Prishtinës zyrtare.

Konjufca theksoi se Serbia është armiqësore ndaj Kosovës. Gjithashtu theksoi se Kosova pavarësisht se është për paqe, nuk do t’i lëshojë pe Serbisë.

“Në jemi dy shtete, por jemi popull me një interes të përbashkët. Edhe zyrtarët politikë të Kosovës dhe Shqipërisë vazhdimisht kanë vepruar me këtë vetëdije kombëtare. Natyrisht që arritjet dhe bashkëpunimi është i thellë, por edhe sfidat janë serioze. Pas shkurtit bota është më e pasigurt. Por në të njëjtën kohë agresioni i papranueshëm mbi Ukrainën ka nxitur unitetin e botës demokratike.

Serbia e Vuçiçit nuk ka ndryshuar në drejtim politik, por vetëm mjetet prej kohës së Millosheviçit. Të gjithë shqiptarët duhet ta dinë që Serbia është shumë armiqësore ndaj Kosovës. Mohon pavarësisë dhe së fundmi e patë sesi presidenti nuk heziton fare edhe për ta sfiduar kornizën e sigurisë në Ballkan përmes kërcënimit të Kosovës dhe dërgimit të trupave të armatosur brenda territorit të Kosovës.

Ne duam që me Shqipërinë të jemi brenda një kornize sa i përket gjykimit për Serbinë. Kosova nuk ka rrugë tjetër veçse të mbrojë interesat. Ne jemi për paqe dhe dialog, por nuk do të lëshojmë pe. Por i gëzohemi edhe çdo arritje të Shqipërisë, siç është hapja e negociatave. Rrugën e kemi të njëjtë”, tha Konjufca.

 

Të fundit