Flash News

Kosova

Kurti: Masakrat e Serbisë ndaj shqiptarëve të Kosovës janë spastrim etnik

Kurti: Masakrat e Serbisë ndaj shqiptarëve të Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka përkujtuar 3 dhe 4 shkurtin e vitit 2000, ku struktura e grupe kriminale të Serbisë kryen një fushatë kriminale me qëllim spastrimin etnik të Mitrovicës nga shqiptarët vendas.

Kryeministri Kurti në postim në Facebook ka thënë se atë natë ata i vranë 10 shqiptarë dhe i plagosën 25 të tjerë, ndërsa dhjetëra banorë u torturuan.

“Në ditët në vijim gjatë muajit shkurt, grupet kriminale serbe të mbështetura nga Beogradi, i dëbuan me dhunë nga shtëpitë e tyre 1.564 familje shqiptare me gjithsej 11.364 anëtarë. Shtëpitë e shqiptarëve të dëbuar me dhunë u uzurpuan nga serbë dhe ndër vite, mijëra shqiptarëve u është mohuar çdo e drejtë dhe u është pamundësuar çdo mundësi për t’u kthyer në shtëpitë dhe tokat e tyre”.

Kryeministri ka thënë se ky spastrim etnik i kryer para 24 viteve, e ndryshoi krejtësisht strukturën demografike të Mitrovicës. “Sipas një raporti të Grupit Ndërkombëtar të Krizave të asaj kohe, para shkurtit të vitit 2000, në veri të Mitrovicës, 53% të njehsorëve të energjisë elektrike ishin nëpër amvisëri të shqiptarëve”, ka shkruar Kurti.

Kreu i Qeverisë ka thënë se masakrimi dhe dëbimi i shqiptarëve të kryera në funksion të spastrimit etnik të Mitrovicës nga shqiptarët vendas, u krye vetëm tetë muaj pas përfundimit të luftës në Kosovë.

“Ndryshimi drastik i realitetit në terren, krijoi kushte shtesë për thellimin e ndarjes fizike të qytetit të Mitrovicës në dy pjesë. Ajo u realizua nën vëzhgimin e trupave ushtarake të KFOR-it, kurse u pasua nga mosveprimet e liderëve politikë shqiptarë të asokohe në Kosovë. Madje, këta të fundit, në vitin 2013 patën votuar në Kuvendin e Kosovës ligj për aministimin e kriminelëve në veri të Kosovës”, ka shkruar ai.

Të fundit