Flash News

Kosova

Kurti pas dështimit të 22-të për konstituimin e Kuvendit: Kuvendin nuk e konstituon fituesi, por të gjithë!

Kurti pas dështimit të 22-të për konstituimin e Kuvendit:

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas dështimit të radhës për konstituimin e Kuvendit, duke theksuar se përgjegjësia për këtë proces nuk bie vetëm mbi fituesin e zgjedhjeve, por mbi të gjithë deputetët.

“Kosova ka qeveri në detyrë, unë jam kryeministër në detyrë. Ajo që i ndihmon Kosovës është Kuvendi i ri i Republikës. Kuvendin nuk e konstituon fituesi, por të gjithë,” deklaroi Kurti.

Ai sqaroi se ndonëse formimi i qeverisë është përgjegjësi e partisë fituese, konstituimi i Kuvendit është një proces që kërkon përfshirjen e të gjitha forcave politike. “Si fitues të zgjedhjeve me 48 deputetë dhe me 9 deputetë të pakicave që na janë bashkuar, e kemi përgjegjësinë për ta formuar qeverinë. Ndërkaq, për ta konstituuar Kuvendin, përgjegjësinë e kanë të gjithë deputetët dhe po bëjnë gabim që po e pamundësojnë kuorumin për votimin e fshehtë,” shtoi ai.

Çështja e votimit të fshehtë, që është kthyer në pikë përplasjeje mes partive, është tashmë në shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese. Kurti u shpreh se pret një përgjigje sa më të shpejtë nga kjo gjykatë, e cila pritet të qartësojë ligjshmërinë e procedurës së propozuar më 1 maj nga Avni Dehari për krijimin e një komisioni për votim të fshehtë.

Në tentimin e 22-të për konstituimin e Kuvendit, i cili u zhvillua sot, morën pjesë 109 deputetë. 54 prej tyre votuan pro krijimit të komisionit për votimin e fshehtë, një ishte kundër dhe nuk pati asnjë abstenim. Megjithatë, mungesa e kuorumit të nevojshëm për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit bëri që procesi të ndërpritet. Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, caktoi vazhdimin e saj për datën 29 maj, ora 11:00.

Ndërkohë, Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të këmbëngulë në kandidaturën e Albulena Haxhiut për postin e kryeparlamentares një emër që nuk po gjen mbështetje nga partitë opozitare. Këto të fundit i kanë bërë thirrje Vetëvendosjes të propozojë një figurë konsensuale, por nga deklaratat e fundit duket se qëndrimet mbeten të pandryshuara.

Ngërçi politik në Kuvend vazhdon që nga 15 prilli, duke e lënë vendin pa institucione të reja funksionale, ndërsa qytetarët presin një zgjidhje nga lidershipi politik.

Të fundit