Flash News

Kosova

Kurti për CNN: Serbia është në anën e Rusisë, Ballkani Perëndimor duhet të jetë vigjilent

Kurti për CNN: Serbia është në anën e Rusisë,

Kryeministri Albin Kurti është i bindur se Rusia nuk mund ta bllokojë anëtarësimin e Kosovës në NATO.

Në një intervistë për CNN, Kurti u shpreh se me njohjen si shtet i pavarur nga 4 shtetet që aktualisht e kundërshtojnë pavarësinë e Kosovës (Greqia, Spanja, Rumania e Sllovakia), atëherë anëtarësimi në NATO ndoshta do të jetë më i lehtë.

“Unë nuk mendoj se Rusia mund ta bllokojë anëtarësimin tonë në NATO. Nëse 4 shtetet: Spanja, Sllovakia, Rumania dhe Greqia do të na njohin, në këtë mënyrë do të jemi anëtare e NATO-s”, deklaroi Kurti.

I pyetur për rrezikun e një lufte të mundshme në Ballkan, e veçanërisht një sulmi të nisur nga Serbia mbi Kosovën, Kurti tha se qeveria i ka marrë masat për të forcuar mbrojtjen duke theksuar se duhet të jenë vigjilentë pasi Serbia mund të luajë rolin përfaqësues të Putin në Ballkan.

“Serbia do paratë e Evropës, armët e Rusisë, investimet e Kinës. Serbia është në anën e Federatës Ruse. Dhe kjo është arsyeja pse ne duhet të jemi vigjilentë. Ka dhjetëra baza ushtarake në Kosovë. Ne duhet të jemi të kujdesshëm. Buxheti i mbrojtjes është rritur për 52 për qind, në të njëjtën kohë po rrisim kapacitet në polici edhe inteligjencë dhe po bashkëpunojmë me NATO-n. Serbia mund të jetë duke luajtur rolin e një përfaqësuesi rus në Ballkanin Perëndimor”, u shpreh Kurti.

Kurti foli edhe për luftën hibride në Ballkanin Perëndimor, teksa theksoi se është si një fazë ‘përgatitore’, por që Kosova nuk i frikësohet për shkak se trupa e NATO-s ndodhen në territor.

“Ne kemi luftë hibride në Ballkanin Perëndimor, sepse ndodhet Qendra Humanitare Ruse në Nish në Serbi vetëm 1 mijë milje larg Prishtinës. Në të njëjtën kohë, ne kemi parë se lufta hibride nuk është zëvendësuese për luftë. Është vetëm një përgatitje. Kjo është arsyeja pse jemi vigjilentë, por jo të frikësuar”, tha Kurti.

Të fundit