Flash News

Kosova

Kurti: Vendet fqinje s’janë të sigurta nga Serbia, derisa nuk janë pjesë e BE-së

Kurti: Vendet fqinje s’janë të sigurta nga Serbia, derisa nuk

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të shtunën se shtetet fqinje nuk mund të ndihet të sigurta nga Serbia, derisa nuk janë pjesë e Bashkimit Evropian (BE).

I pyetur gjatë Forumit të Paqes në Paris se cilat janë qëllimet e Serbisë karshi Kosovës, Kurti theksoi se “ndarja e saj, apo kompensimet territoriale.”

“Fqinjët e Serbisë, për sa kohë që nuk janë pjesë e BE-së, nuk janë të sigurt nga Serbia, dhe kjo duhet të merret parasysh në Bruksel. Ata janë të inatosur me shpërbërjen e Jugosllavisë, kanë menduar se mund ta shkatërrojnë dhe ta marrin gjysmën e saj, nuk doli ashtu”, tha Kurti.

Kosova e ka akuzuar Serbinë për “tentim aneksimin e veriut të Kosovës”, pas një sulmi nga një grup i serbëve të armatosur në fshatin Banjskë të Zveçanit më 24 shtator, ku u vra një rreshter policor dhe tre sulmues. Serbia i ka mohuar akuzat, megjithëse përgjegjësinë për sulmin e mori Millan Radoiçiq, ish-nënkryetari i partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, Lista Serbe.

“Mendoj se, në njërën anë, ata [Serbia] duan të shohin ndarjen e Kosovës, do të donin kompensime territoriale për gabimet e tyre, por nuk është e mundshme”, tha Kurti në Paris të shtunën.

Para disa viteve ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kishin biseduar për shkëmbimin e mundshëm të territoreve mes dy vendeve, mirëpo kjo çështje kishte shkaktuar debate të shumta, si në Kosovë ashtu edhe në skenën ndërkombëtare.

Kosova është vendi i vetëm nga fqinjët e Serbisë që ende nuk e ka marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE.

Negociatat për anëtarësim ka vite që i kanë nisur Mali i Zi dhe Serbia, ndërsa në korrik të vitit 2022 i kanë nisur edhe Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut. Bosnje e Hercegovina e mori statusin e vendit kandidat në dhjetor të vitit të kaluar./ REL

Të fundit