Flash News

Kosova

Lajçak dhe Escobar me propozime, çfarë i kërkuan Kurtit për tensionet në veri?

Lajçak dhe Escobar me propozime, çfarë i kërkuan Kurtit

Pas më shumë se dy orë diskutimesh me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, i dërguari evropian për bisedimet Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak dhe i dërguari amerikan Gabriel Escobar shfaqën shpresën për uljen e tensioneve në veri të Kosovës.

Zoti Lajçak tha se në takim u paraqitën propozimet me tri elemente: “i pari shtensionimi i situatës në terren, i dyti, zgjedhjet e reja sa më parë në veri dhe kthimin në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve”.

Zoti Lajçak i cilësoi të gjata, të hapura dhe të vështira diskutimet me kryeministrin Albin Kurti për këto propozime.

I dërguari amerikan tha se nuk ka parë kurrë me parë kaq shumë unitet brenda komunitetit transatlatnik.

“Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, NATO-ja dhe çdo mik i Kosovës i ka bërë të njëjtat kërkesa. Shpresoj se do të dëgjohemi”, tha zoti Escobar.

Një gjë dua të them, “erdha këtu si përkrahës i madh i Kosovës. Duam më të mirën për Kosovën. Duam që Kosova të përmbushë të gjitha aspiratat. Jemi përkrahësit më të mëdhenj të sigurisë suaj, pavarësisë, sovranitetit dhe tërësisë suaj tokësore. Krejt çfarë po kërkoj është të dëgjohemi”, theksoi zoti Escobar.

Tensionet në veri të Kosovës pasuan zgjedhjet e 23 prillit, të cilat u bojkotuan nga partitë serbe. Kryetarë komunash u zgjodhën kandidatët e partive shqiptare dhe dërgimi i tyre në zyrat komunale nën përcjelljen e njësive të posaçme të policisë, nxiti reagime dhe grupe serbësh u hodhën në protesta të cilat u përshkuan me dhunë të hënën e kaluar duke shkaktuar plagosjen e 30 pjesëtarëve të KFOR-it dhe duke nxitur shqetësime për ripërtëritje të konfliktit në rajon.

Grupe qytetarësh serbë që nga 26 maji u mblodhën çdo ditë para ndërtesave të komunave për të kundërshtuar hyrjen në zyra të kryetarëve shqiptarë.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian i kërkojnë Kosovës zhvendosjen e përkohshme e kryetarëve të rinj në zyra të tjera alternative dhe siç tha zoti Lajçak të hënën në mbrëmje, në veri duhet të jenë kryetarë që kanë legjitimitet.

Nga Serbia ndërkaq kërkohet tërheqja e forcave të armatosura serbe të stacionuara afër kufirit me Kosovën dhe ulja e gjendjes së gatishmërisë, ruajtja e qetësisë së protestuesve në veri dhe sigurimi i pjesëmarrjes së serbëve të Kosovës në zgjedhje të reja./ REL

Të fundit