Flash News

Kosova

Liberalizimi i vizave në Kosovë, media spanjolle: Një hap i ri drejt njohjes nga BE-ja

Liberalizimi i vizave në Kosovë, media spanjolle: Një hap i ri

Media e njohur spanjolle, “El Periodico Espana” i ka kushtuar një artikull Kosovës dhe liberalizimit të vizave.

“Pak nga pak, Kosova po fiton më shumë njohje përbrenda Bashkimit Evropian. Më e fundit, me fillimin e vitit të ri, ka qenë hyrja në fuqi e marrëveshjes së prillit të kaluar me Parlamentin Evropian që iu mundëson qytetarëve të Kosovës lëvizjen e lirë pa viza në Schengen, zona e lëvizjes së lirë që përfshin 23 shtete anëtare të BE-së bashkë me Islandën, Lihtenshtajnin, Norvegjinë dhe Zvicrën…”.

Sipas medias spanjolle, Prishtina ka punuar që kur shpalli pavarësinë më 2008 (me të cilën ajo u nda përfundimisht nga Serbia), rreth 16 vjet më parë.

“Kjo i jep fund anomalisë kosovare, e cila vitin e kaluar paraqiti kandidaturën për anëtarësim në BE, por që është po ashtu u vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që nuk e ka gëzuar lirinë e lëvizjes në Schengen në raport me vendet e rajonit. Në këto rrethana, kryeministri kosovar Albin Kurti shkoi në aeroportin e Prishtinës të hënën për të përshëndetur grupin e parë të pasagjerëve që po shkonin për në Vjenë”, shkruan “El Periodico Espana”.

Spanja, e cila nuk e njeh Pavarësinë e Kosovës, e as pasaportat, nuk ka kundërshtuar masën e heqjes së vizave, por ka mbajtur një raport konfuz se si do ta trajtojë vendimin e marrë.

Prillin e kaluar, zëdhënës për Drejtësi i Komisionit Evropian, Christian Wigand, zbuloi se Spanja ishte i vetmi vend që kundërshton njohjen e “dokumenteve të udhëtimit të Kosovës”.

“Qytetarët e Kosovës do të jenë në gjendje të lëvizin lirshëm me vizat e tyre në të gjitha përpos një vendi të Schengenit”, tha ai. “Spanja sërish është e tmerrshme në këtë rast”, ishte komenti i gazetares Una Hajdari në X, ish-Twitter, një nga komentet e shumta të cilët kohëve të fundit kanë kritikuar sjelljen e Spanjës në media sociale.

 

 

 

Të fundit