Flash News

Kosova

Liberalizimi i vizave për Kosovën, çfarë mund të ndodhë më 13 tetor në Bruksel

Liberalizimi i vizave për Kosovën, çfarë mund të
Prej kohësh po bëhet thirrje për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Në 13 tetor në mbledhjen e Këshillit të Europës do të diskutohet seriozisht për këtë çështje.

Por çfarë do të ndodhë në 13 tetor? Sipas Rel, nëse nuk ndryshon plani, do të shqyrtohet raporti i përditësuar teknik nga Komisioni Evropian për përmbushjen e kushteve nga ana e Kosovës.

Nëse ka pajtim mes vendeve anëtare të BE-së, atëherë tek ambasadorët e këtyre vendeve do të bartet përgjegjësia që të japin dritën e gjelbër për nisjen e diskutimeve trepalëshe, mes Parlamentit Evropian, Këshillit të BE-së dhe Komisionit Evropian.

Duke patur parasysh se Komisioni dhe Parlamenti nuk kanë asnjë rezervë për liberalizimin e vizave për Kosovën, kjo procedurë pritet të përmbyllet shpejt.

Kur në këto diskutime të arrihet pajtimi, atëherë të njëjtin do ta konfirmojnë formalisht edhe ambasadorët e vendeve anëtare. Kjo mund të ndodhë në muajin nëntor, nëse ka vullnet politik.

Vendimi, më pas, votohet në komisionin përkatës të Parlamentit Evropian, e pastaj edhe në seancë plenare. Pasi Parlamenti të votojë formalisht, përfaqësuesit e vendeve anëtare, me shumicë të kualifikuar, votojnë po ashtu për këtë vendim.

Hap i radhës është konfirmimi i vendimit edhe nga ministrat e vendeve anëtare në Këshill. E gjithë kjo, sipas pritjeve të disa diplomatëve evropianë, mund të ndodhë deri në fund të këtij viti. Ndërsa si përfundim, vendimi do të botohet në Gazetën Zyrtare të BE-së, me çka edhe caktohet data e hyrjes në fuqi të vendimit.

 

Të fundit