Flash News

Kosova

Memli Krasniqi jep dorëheqje nga pozita e kryetarit të PDK-së

Memli Krasniqi jep dorëheqje nga pozita e kryetarit të PDK-së

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka njoftuar dorëheqjen e tij nga ky post. Vendimin e bëri publik gjatë një konference për media, pas mbledhjes së Kryesisë së PDK-së. 

Ka qenë një nder i madh për mua të udhëheq Partinë Demokratike të Kosovës,” deklaroi Krasniqi, duke theksuar se gjatë katër viteve të fundit partia ka kaluar nëpër shumë sfida dhe periudha të rëndësishme.

Ai vlerësoi se PDK është forcuar dhe ka fituar peshë në skenën politike, por theksoi se çdo subjekt i madh ka nevojë për rinovim dhe energji të re.

“Një parti që synon zhvillim duhet të besojë edhe në ripërtëritje. Një lidership që kërkon ndryshim për Kosovën, duhet të ketë guximin të krijojë hapësirë për ndryshim brenda vetes. Për këtë arsye, kam vendosur të jap dorëheqje nga pozita e Kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës,” tha ai.

Krasniqi sqaroi se dorëheqja e tij nuk lidhet me ndonjë zhvillim të fundit politik, por me nevojën për t’i dhënë partisë një “frymë të re dhe një mundësi të re për të ardhmen”.

Në fund të fjalimit, Krasniqi shprehu mirënjohje ndaj qytetarëve, aktivistëve, bashkëpunëtorëve dhe familjes së tij:
“Largohem nga detyra e kryetarit me paqe, mirënjohje dhe krenari. Kam bindjen se PDK do të mbetet në duar të sigurta në duar të njerëzve që besojnë, punojnë dhe bashkojnë. Kjo nuk është një lamtumirë, por një mirupafshim. Sepse PDK është shtëpia ime e dytë, shtëpia e krenarisë sime politike dhe jetësore.”

Të fundit