Flash News

Kosova

Mesazhi i Kurtit: Vetëm kur të lidhemi me njëri-tjetrin nuk do ketë rrezik, politikanët shqiptarë s'duhet të bashkëpunojnë me krimin

Mesazhi i Kurtit: Vetëm kur të lidhemi me njëri-tjetrin nuk do
Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka dhënë një mesazh në kuadër të aktivitetit “Kauzat shqiptare – para dhe pas Hasan Prishtinës”, duke cekur edhe nismën "Ballkani i Hapur" dhe pse jo drejtëpërdrejtë.

Ai thotë se vetëm duke u lidhur fort me njëri tjetrin mund të hapemi me fqinjët pa u rrezikur. Kurti thekson se e ardhmja e Kosovës është perëndimi dhe barazia me popujt e tjerë të Ballkanit dhe bashkimi paqësor e demokratik kombëtar.

Kreu i qeverisë së Kosovës thotë se askush nga politikanët shqiptarë nuk duhet të bashkëpunoje me krimin dhe se rajoni fiton siguri dhe stabilitet vetëm nga dënimi i kriminelëve.

Duke e cilësuar të tashmen një moment historik, Kurti thotë se kohë të mira po vijnë për shqiptarët por edhe për fqinjët, ndërsa nënvizon ndihmën e palëkundur të partnerëve për drejtësi, demokraci dhe kundër ndikimeve negative ruso-kineze në të dyja shtetet shqiptare dhe në rajon.

"Mesazhi që dua të jap sot është ai i të qenit pranë njëri-tjetrit, me projekte të përbashkëta, me koordinim dhe me punë. Vetëm kur të lidhemi fort me njëri-tjetrin, do të mund të hapemi me fqinjët pa u rrezikuar.

Kahja jonë si shqiptarë është perëndimi, aleatët tanë janë ShBA dhe BE, aspirata jonë legjitime është barazia me popujt e tjerë të Ballkanit dhe bashkimi paqësor e demokratik kombëtar, e detyra jonë më emergjente është që të luftojmë korrupsionin dhe t’i hapim rrugën zhvillimit ekonomik.

Rajoni fiton siguri dhe stabilitet afatgjatë vetëm nga dënimi dhe izolimi i kriminelëve, dhe askush nga politikanët shqiptarë nuk duhet të bashkëpunojë me krimin.

Kohë të mira po vijnë për shqiptarët por edhe për fqinjët tanë, sepse partnerët tanë të mëdhenj janë më të vendosur se kurrë për të na ndihmuar në luftën tonë për drejtësi e demokraci, por edhe kundër ndikimeve negative ruso-kineze në qytetet e në shtetet tona, por edhe në rajon. Jam i sigurt se shqiptarët, në të gjitha shtetet ballkanike ku jetojmë e veprojmë, nuk do ta humbim këtë moment të rëndësishëm historik", thuhet në mesazhin e Kurtit.

Kujtojmë që nisma "Ballkani i Hapur" nuk është mirëpritur nga Kosova dhe i ka acruar marrëdhëniet mes udhëheqësve në të dyja shtetet.

Në takimin e fundit në kuadër të kësaj nisme, Kurti nuk mori pjesë, duke thënë se nuk ë mbështet këtë iniciativë, pasi është kundër interesave të Kosovës.

Nga ana tjetër homologu i tij, Edi Rama i ka mëshuar kësaj nisme, duke theksuar se sjell vetëm benefite dhe forcon raportet dhe ekonominë në rajon. Nuk kanë munguar as "thumbat" për njeri-tjetrin në deklaratat e tyre lidhur me këtë çështje.

Të fundit