Flash News

Kosova

Minatorët në grevë për pagat, jep dorëheqje ushtruesi i detyrës së drejtorit të Bordit të Trepçës

Minatorët në grevë për pagat, jep dorëheqje ushtruesi i
Foto Ilustruese/ Miniera e Trepçes

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Bordit të ndërmarrjes “Trepça”, Hysen Vrajolli, ka dhënë dorëheqje, pas grevës së minatorëve e cila ka nisur të mërkurën.

“Pas ngjarjeve që kanë ndodhur në Trepçë kam paraqitur dorëheqjen”, ka thënë shkurtimisht për REL, Vrajolli.

Minatorët e kombinatit metalurgjik “Trepça” kanë hyrë në grevë brenda minierës që nga mëngjesi i të mërkurës. Gani Osmani, nga Sindikata e Punëtorëve të kësaj ndërmarrjeje është shprehur se me gjithë paralajmërimin e Qeverisë se janë ndarë 1 milion euro për Trepçën, ato nuk janë alokuar në xhirollogarinë e ndërmarrjes dhe punëtorët nuk i kanë marrë pagat e muajit tetor.

“Për momentin janë 200 minatorë brenda minierës. Ata janë ndarë në horizonte dhe kanë thënë se nuk do të dalin nga greva derisa t’i marrin pagat”, tha Osmani.

Qeveria e Kosovës, më 13 nëntor ka konfirmuar se ka ndarë më shumë se një milion euro për kombinatin metalurgjik “Trepça”, si zgjidhje për t’i tejkaluar problemet financiare në të cilat ndodhet aktualisht kjo kompani.

Më herët, Vrajolli tha se kjo ndërmarrje ka një borxh prej rreth pesë milionë eurosh ndaj Distribucionit të Furnizimit me Energji Elektrike (KEDS) dhe operatorëve tjerë. “Trepça” është shoqëri aksionare ku 80 për qind e aksioneve janë të Qeverisë së Kosovës, kurse 20 për qind janë aksione të punonjësve të kësaj ndërmarrjeje. Kombinati metalurgjik “Trepça”, gjendet në Komunën e Mitrovicës. Sektorët e tij gjenden në pjesën veriore dhe atë jugore të qytetit.

Udhëheqësi i Njësisë për politika dhe monitorim të ndërmarrjeve publike në Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit, Besnik Krasniqi, bëri me dije se deri të premten, punëtorët e Trepçës do të marrin pagat.

“Procedurat administrative ligjore që kërkohen për t’i transferuara mjetet vetëm kanë përfunduar, është çështje procedurale derisa t’i dalin paratë Trepçës në llogarinë e saj. Besoj që deri nesër gjatë ditës punëtorët e Trepçës paratë duhet t’i kenë në llogaritë e tyre”, deklaroi Krasniqi.

Të fundit