Flash News

Kosova

Ministrja e Jashtme Gërvalla: ‘Ballkani i Hapur’, ide e rrezikshme për Kosovën

Ministrja e Jashtme Gërvalla: ‘Ballkani i Hapur’, ide e

Ministrja për Punë të Jashtme dhe Diasporë në Kosovë, Donika Gërvalla e ka cilësuar një ide të rrezikshme për Kosovën iniciativën e quajtur prej dje ‘Ballkani i Hapur’.

“Si Republikë e Kosovës, iniciativën e Novi Sadit, në ndërkohë të mini-Shengenit, e që nga dita e djeshme, Ballkanit të Hapur, e konsiderojmë si të rrezikshme, sepse krijohet përshtypja se kemi alternativë ndaj rrugës sonë të përbashkët, si rajon, drejt BE-së, dhe përçimi i këtij mesazhi ne konsiderojmë se është më i rrezikshëm sesa vonesat që mund të ndodhin ndërkohë gjatë procesit tonë të integrimit”, ka thënë Gërvalla, në një konferencë të përbashkët me homologun e saj në Maqedoninë e Veriut, Bujar Osmani.

Sipas Gërvallës, iniciativa në fjalë vë në pikëpyetje edhe qëllimet gjeostrategjike që ka rajoni.

Kjo iniciativë e quajtur më parë mini-Shengen dhe tani Ballkan i Hapur, vë në pikëpyetje përcaktimet gjeostrategjike që ka rajoni ynë, sepse në rajonin tonë jo të gjitha shtetet kanë të njëjtin përcaktim gjeostrategjik” ka theksuar ajo.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama i kanë ftuar të enjten edhe vendet tjera në rajon që t’i bashkohen nismës “Ballkani i Hapur”.

Në takimin e tre liderëve të rajonit nuk ka marrë pjesë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i cili në vazhdimësi ka kundërshtuar nismën e “mini-Shengenit”, pasi sipas tij rajoni duhet t’i kthehet agjendës së integrimit evropian dhe jo nismave që, sipas tij, janë të dëmshme për shqiptarët.

 

Të fundit