Flash News

Kosova

Nis zyrtarisht fushata zgjedhore në Kosovë

Nis zyrtarisht fushata zgjedhore në Kosovë

Nis zyrtarisht sot fushata zgjedhore për kandidatët partiakë të cilët garojnë për një vend në Kuvendin e Kosovës, në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Ndryshe nga zgjedhjet e kaluara, për shkak të pandemisë, nuk ka pasur ndonjë organizim të veçantë ku liderët e subjekteve do t’ju drejtoheshin masës me mesazhe.

Po ashtu, ndryshe nga herët tjera, kjo fushatë për zgjedhje të parakohshme zgjat vetëm 10 ditë. Sipas mediave kosovare, në zgjedhjet e 14 shkurtit do të marrin pjesë 28 subjekte politike.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar Listën Përfundimtare të Votuesve brenda dhe jashtë Kosovës për zgjedhjet e 14 shkurtit.

Sipas KQZ-së numri i votuesve brenda Kosovës është 1 milion e 794 mijë e 862 votues, apo 143 mijë e 6 votues më pak se në zgjedhjet paralamentare të vitit 2019.

Arsyeja se përse ka më pak votues në këto zgjedhje është për shkak se KQZ-ja ka vendosur që t’i largojë nga lista votuese 122 mijë e 421 persona të cilët posedojnë vetëm dokumente të identifikimit të lëshuar nga UNMIK-u. Sipas KQZ-së, dokumentet e UNMIK-ut nuk shërbejnë për t’u identifikuar në vendvotim në ditën e zgjedhjeve.

Po ashtu, KQZ-ja ka larguar nga lista votuese edhe 11 mijë e 86 persona të cilët janë konfirmuar se janë larguar nga skema pensionale për shkak se kanë vdekur.

Numri i Qendrave të Votimit në të gjithë Kosovën është 888, me gjithsej 2 mijë e 382 vendvotime.

Në mbledhjen e së martës, KQZ-ja, po ashtu, ka miratuar fletëvotimin dhe broshurën për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës 2021 për zgjedhjet e 14 shkurtit.

Të fundit