Flash News

Kosova

Nuk u zgjodh kryetare e Kuvendit për të 24-ën herë/ Albulena Haxhiu: Opozita po bllokon Kuvendin

Nuk u zgjodh kryetare e Kuvendit për të 24-ën herë/ Albulena

Kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje për kryetare të Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka bërë thirrje për fundin e bllokadës parlamentare nga partitë opozitare, duke theksuar rëndësinë e konstituimit të Kuvendit dhe përmbushjes së përgjegjësive institucionale.

Në një deklaratë për media pas përfundimit të seancës së radhës, Haxhiu nënvizoi se që nga momenti i propozimit për votim të fshehtë, janë zhvilluar 24 seanca, pa arritur konstituimin e plotë të Kuvendit për shkak të mospjesëmarrjes së opozitës në votim.

“Nuk po kërkojmë të votojnë patjetër pro, por të marrin pjesë në votim – qoftë kundër, qoftë abstenim. Është një e drejtë dhe një përgjegjësi kushtetuese,” – deklaroi Haxhiu.
Deputetja e LVV-së theksoi se në çdo seancë konstituive, deputetët e partisë së saj kanë qenë të pranishëm dhe të gatshëm për të kontribuar në formimin e institucioneve, ndërsa akuzoi opozitën se po pengon procesin përmes bojkotit të vazhdueshëm.

“Ka deputetë që vijnë në Kuvend, por nuk e dinë pse vijnë,” – u shpreh ajo me tone kritike.
Ajo iu referua edhe letrës së Presidentes Vjosa Osmani, e cila, sipas saj, thekson nevojën që të gjitha partitë të angazhohen për zhbllokimin institucional dhe të mos e përdorin mungesën e votës për të ndalur funksionimin e Kuvendit.

“Është jashtëzakonisht e rëndësishme që opozita të braktisë qëndrimet bllokuese. Ne duhet të jemi në shërbim të qytetarëve dhe në përputhje me Kushtetutën,” – tha Haxhiu.
Ajo shtoi se LVV ka respektuar çdo detyrim kushtetues dhe rregullor të Kuvendit dhe se tashmë po pritet edhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese lidhur me çështjen e komisionit për votimin e fshehtë, i cili është dërguar nga AAK.

Të fundit