Flash News

Kosova

Osmani për BIRN: ‘Open Balkan’ i shërben interesave hegjemoniste të Serbisë

Osmani për BIRN: ‘Open Balkan’ i shërben interesave

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka akuzuar Serbinë se po përpiqet të destabilizojë jo vetëm Kosovën, por edhe vendet e tjera të rajonit duke listuar këtu Bosnjë Hercegovinën dhe Malin e Zi.

Në një intervistë për BIRN, presidentja tha se interesi i Serbisë është të krijojë tensione në interes të Rusisë, në mënyrë që Moska ta zgjerojë konfliktin e nisur në Ukrainë, edhe në vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Qëllimi i Serbisë, i ndihmuar nga Rusia, është të krijojë tensione në veri sepse është në interesin e Rusisë të zgjerojë konfliktin dhe të zgjerojë vëmendjen e komunitetit ndërkombëtar dhe të mos lejojë që ata të përqendrohen vetëm te Ukraina. Ushtarakisht, aleatët e Serbisë janë Rusia dhe Kina. Serbia është armatosur masivisht. Autoritetet serbe duan t'i shërbejnë interesave të Rusisë përmes destabilizimit, kryesisht në Kosovë, Mal të Zi dhe Bosnjë e Hercegovinë”, tha Osmani.

Policia e Kosovës në kufi u sulmua disa herë javën e kaluar dhe qeveria kosovare akuzoi Serbinë për sulmet mbi efektivët e policisë. Nga ana tjetër, Beogradi i ka hedhur poshtë akuzat e Prishtinës.

Duke folur për nismën e Ballkanit të Hapur, Osmani tha se Kosova do të vazhdojë të refuzojë të përfshihet. Presidentja e konsideroi bashkëpunimin mes Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, një skemë në shërbim të interesave destabilizuese dhe hegjemoniste të Serbisë.

“Kjo është një iniciativë që i shërben interesave hegjemoniste të Serbisë në rajon… Ballkani i Hapur është një mundësi për t'i hapur rajonin Rusisë dhe Kinës dhe kjo është e rrezikshme edhe për Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, të cilat po luftojnë interesat keqdashëse të Rusisë,” argumentoi ajo.

Kryeministri Rama ka mbrojtur vazhdimisht refuzimin e “Open Balkan” nga Kosova, ndërsa kjo e fundit ka deklaruar se për aq kohë sa Serbia është pjesë e nismës, nuk ka për t’iu bashkuar. Për Osmanin, mbrojtja që Rama i bën refuzimit të “Open Balkan” nga Kosova, është e paarsyeshme.

“Për mua është e paarsyeshme dhe e pakuptueshme. Ne nuk pranojmë asgjë më pak se ajo që jemi: të pavarur, sovran dhe të barabartë”, tha Osmani.

Në kundërshtim me Shqipërinë, RMV dhe Serbinë, janë edhe dy nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor: Mali i Zi dhe Bosnjë Hercegovina.

Të fundit