Flash News

Kosova

Pas tensioneve në veri, Borrell fton Kurtin dhe Vuçiçin në Bruksel. Kërkesa e kryeministrit të Kosovës

Pas tensioneve në veri, Borrell fton Kurtin dhe Vuçiçin

Pas zhvillimeve të fundit në veri të Kosovës, shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell ka ftuar në një takim në Bruksel, kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin Aleksandër Vuçiç. Këtë e ka konfirmuar për mediat vendase, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

“BE-ja ka qenë dhe mbetet në kontakt të ngushtë me Kosovën dhe Serbinë për të qetësuar tensionet, në koordinim të ngushtë me EULEX-in, KFOR-in dhe partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht me SHBA-në.

Pas pranimit nga Kosova të kërkesës së Përfaqësuesit të Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Borrell dhe SHBA-së për të shtyrë masat e planifikuara në lidhje me targat dhe kartat e identitetit, me kusht që të hiqen të gjitha barrierat, BE-ja ftoi të dyja palët të takohen në Bruksel për të diskutuar rrugën përpara”, ka thënë Stano.

Ndërkohë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se nuk do të lejojnë destabilizimin e situatës. Ai kërkoi që të gjitha barrierat të hiqen gjatë ditës së sotme.

“Në momentin kur hiqen barrikadat në veri dhe vendoset liria e plotë e lëvizjes, shtyhet zbatimi i dy vendimeve të Qeverisë për datën 1 shtator 2022. Janë 9 barrikada në veri, dhe presim që të hiqen të gjitha sot gjatë ditës”, ka thënë Kurti.

 

Të fundit