Flash News

Kosova

Plan sekret për mbikëqyrje: Serbia zgjeron rrjetin me pajisje të Kinës

Plan sekret për mbikëqyrje: Serbia zgjeron rrjetin me pajisje të

Qeveria e Serbisë po e zgjeron ndjeshëm sistemin e avancuar të mbikëqyrjes të prodhuar nga Kina, pavarësisht protestave dhe reagimeve negative publike për përdorimin e tij, tregojnë dokumentet e siguruara nga Radio Evropa e Lirë (REL).

Dokumentet, të cilat i ka parë REL-i, përmbajnë kontrata me gjigantin kinez të teknologjisë, Huawei.

Ato tregojnë blerje të mëdha të softuerëve dhe shërbimeve të nevojshme për t’i rritur përmasat e projektit “Qyteti i sigurt” (Safe City), i ofruar nga Huawei në vitin 2017 përmes një marrëveshjeje strategjike me Ministrinë e Punëve të Brendshme të Serbisë.

Programi synon të ofrojë identifikim të fytyrës dhe të targave të automjeteve, si dhe aftësi të tjera mbikëqyrjeje, të integruara në një sistem të unifikuar në nivel qyteti.

Pak dihet për shkallën, përmbajtjen ose koston e projekteve të mbikëqyrjes me Huawein. Viteve të fundit, autoritetet serbe kanë tentuar ta mbajnë “Qytetin e sigurt” larg syrit të publikut, mes kritikave ndërkombëtare, sfidave ligjore dhe protestave, veçanërisht për përdorimin e njohjes biometrike të fytyrës.

Çështja është veçanërisht e diskutueshme, pasi përdorimi i saj nuk është i paraparë me ligj. Autoritetet serbe thonë se softueri për njohjen e fytyrës ende nuk është funksional në kuadër të projektit “Qyteti i sigurt” dhe disa herë kanë tentuar ta legalizojnë mbikëqyrjen biometrike, por janë tërhequr pas presionit të madh publik.

Aktualisht, Beogradi, Novi Sadi dhe Nishi – qytetet më të mëdha serbe – e kanë zbatuar projektin në bashkëpunim me Huawein. Dosjet e siguruara nga REL-i tregojnë se Qeveria ka vazhduar ta zgjerojë këtë sistem në mënyrë të fshehtë.

Një kontratë e marsit 2024 përmban një porosi konfidenciale për pajisje dhe shërbime që synojnë zgjerimin e sistemit eLTE – një rrjet i mbyllur, i përdorur vetëm nga policia dhe pajisjet e mbikëqyrjes, që shërben si bazë për lidhjen e kamerave dhe softuerit të njohjes së fytyrës me terminalet dhe qendrat komanduese të policisë.

Porosia përfshin zgjerim të sistemit që përdor rrjetin eLTE, përfshirë softuerin GIS për qasje në burime, që rrit aftësinë për të shikuar në kohë reale pamje nga kamera në lokacione të caktuara. Ekspertët që i kanë parë dokumentet, i thanë REL-së se 35 njësitë e blera nga Huawei mund t’i mbështesin deri në 3.500 kamera shtesë në rrjetin eLTE.

“Ata kanë blerë me qëllim kapacitete për t’i përkrahur 3.500 kamera”, tha Conor Healy, drejtor i kërkimeve qeveritare në firmën e studimeve të industrisë së mbikëqyrjes IPVM. “Kjo sugjeron se synojnë të instalojnë aq kamera”.

Ministria e Brendshme dhe Huawei nuk u janë përgjigjur kërkesave të REL-it për koment.

Pse është i rëndësishëm zgjerimi i “Qytetit të sigurt”?

Kjo kontratë, dhe dokumente të tjera, janë pjesë e mbi 1.7 milion dosjeve të publikuara në “dark web” në qershor 2025, pas një sulmi kibernetik ndaj kompanisë serbe të IT-së Informatika AD, e cila ka fituar tenderë të mëdhenj qeveritarë, përfshirë nga Ministria e Brendshme.

 

Mes tyre janë mbi 200 dokumente të prokurimit të kryera nga Informatika AD për Ministrinë e Brendshme, përfshirë edhe porosinë me Huawein për zgjerimin e sistemit eLTE.

 

Informatika AD i tha REL-it se ishte shënjestër e një sulmi kibernetik, por nuk iu përgjigj pyetjeve lidhur me prokurimin për Ministrinë e Punëve të Brendshme.

 

Kur në vitin 2017 u prezantua projekti pilot në Beograd – qytet me 1.1 milion banorë – ai përfshinte instalimin e 1.000 kamerave të pajisura me softuerin për njohjen e fytyrës me inteligjencë artificiale.

Qeveria nuk e ka bërë të ditur numrin e përgjithshëm të kamerave të instaluara.

Nuk është e qartë nëse kapaciteti i ri prej 3.500 kamerash do të përdoret vetëm në Beograd, apo edhe në qytete të tjera, por përbën rritje të ndjeshme të aftësive të mbikëqyrjes në vend.

“Nëse vendoset në Beograd, do të ketë dendësi kamerash që rrallë shihen jashtë Kinës”, tha Healy.

Mbështetësit e projekteve të mbikëqyrjes, si “Qyteti i sigurt” i Huawei-t, argumentojnë se ato ofrojnë përfitime të mëdha duke automatizuar funksionet e qytetit dhe duke zhvilluar sisteme që tashmë përdoren në vende demokratike. Autoritetet serbe kanë thënë, gjithashtu, se kjo teknologji është e nevojshme për ta frenuar krimin dhe për ta parandaluar terrorizmin./ REL

Të fundit