Flash News

Kosova

Presidentja Osmani pas votimit: Qytetarët vendosin për të ardhmen e komunave dhe fëmijëve të tyre

Presidentja Osmani pas votimit: Qytetarët vendosin për të ardhmen

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka ushtruar votën e saj në raundin e dytë të balotazhit për zgjedhjet lokale, duke e cilësuar këtë ditë po aq të rëndësishme sa raundi i parë.

Pas hedhjes së votës, ajo u bëri thirrje qytetarëve që të marrin pjesë masivisht në procesin zgjedhor, duke theksuar se çdo votë përcakton drejtimin e komunave dhe të brezave të rinj.

“Sot qytetarët tanë vendosin jo vetëm kush do t’i udhëheqë komunat ku jetojnë, por edhe për një të ardhme më të mirë për fëmijët e tyre,” tha Osmani, duke nënvizuar rëndësinë e përgjegjësisë qytetare në proceset demokratike.

Presidentja vuri në dukje se Kosova ka ndërtuar një sistem të qëndrueshëm demokratik dhe se zgjedhjet e lira janë dëshmi e pjekurisë politike të qytetarëve.

“Sot do të dëshmohet sërish se Kosova është një vend me demokraci të fortë elektorale dhe me qytetarë që e respektojnë votën si mjet të ndryshimit,” shtoi ajo.

Osmani shprehu bindjen se dita e votimit do të zhvillohet në frymën e rregullt, të lirë dhe demokratike, duke e cilësuar këtë si një arsye për t’u krenuar si shtet.

 

Të fundit