Flash News

Kosova

Pritet marrëveshja me Serbinë, Kurti: S’do lejojmë të preket pavarësia dhe integriteti territorial

Pritet marrëveshja me Serbinë, Kurti: S’do lejojmë të

Teksa ndërkombëtarët thonë se një marrëveshje Kosovë-Serbi është çështje javësh, kryeminsitri Albin Kurti ka thënë se nuk do të lejohet kurrë që të preket pavarësia, sovraniteti e integriteti territorial.

Kurti ka shtuar se menduam që me përfundimin e luftërave që i shkaktoi Serbia në Ballkan, erdhi një paqe e qëndrueshme në Evropë, por ja që siç veproi Serbia dje po vepron Rusia sot.

“Këto dy shtete kanë një lidhje historike e kulturore me njëra-tjetrën, në linjat e autokracisë e despotizmit, agresionit dhe gjenocidit. Kosova në aspektin ndërkombëtar po e bën detyrën e vet, duke u rreshtuar menjëherë e pa asnjë kusht në radhën e vendeve që dënuan Rusinë e që mbështesin pavarësinë dhe integritetin territorial të Ukrainës.

Natyrisht, le ta dinë të gjithë, kur kërkojmë të respektohet pavarësia dhe integriteti territorial i Ukrainës, as që bëhet fjalë të mendohet se do tolerojmë prekjen e pavarësisë, sovranitetit apo integritetit territorial të Kosovës”, u shpreh Kurti.

Kurti këto komente i bëri gjatë mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, derisa përmendi edhe disa nga të arriturat e kësaj lëvizje gjatë katër viteve të kaluara.

Kryeministri ka folur edhe për Rexhep Selimin i cili ndodhet në paraburgim në Hagë së bashku me ish-krerët e tjerë të UÇK-së, derisa tha se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte dhe është e drejtë.

“Rexhep Selimi, aktivisti ynë, deputeti në kuvendin e Kosovës, gjenerali i UCK që e kishim anëtar kryesie e kryetar të Grupit Parlamentar për të cilin kemi shumë krenari e mall, por jam i sigurt që shpejt do ta kemi sërish teksa urojmë që të lirohet nga ato akuza të pabaza që janë bërë ndaj tij dhe të tjerëve. UÇK ishte dhe është e drejtë, andaj ajo do të dal e pastër edhe nga gjyqe të imponuara padrejtësisht nga politikanë të cilëve u mungonte largpamësia”, tha Kurti.

 

Të fundit