Flash News

Kosova

Prokuroria Speciale në Kosovë ngre aktakuza në mungesë kundër 3 personave për krime lufte

Prokuroria Speciale në Kosovë ngre aktakuza në mungesë

Prokuroria Speciale në Kosovë ka ngritur të martën aktakuza në mungesë kundër tre të pandehurve të nacionalitetit serb, me inicialet L.Ç, P.B dhe M.I, nën dyshimet se kanë kryer veprën penale “krime lufte kundër popullatës civile” në periudhën 1998-99.

Prokuroria ka thënë përmes një komunikate se dyshon që i pandehuri L.Ç e ka kryer veprën penale sa ka qenë drejtor i burgut të qarkut në Prishtinë dhe paralelen në Lipjan, ndërsa dy të tjerët, P.B dhe M.I kanë qenë atë kohë gardianë të burgut të Prishtinës dhe paraleles në Lipjan. Gjykimi i parë në mungesë për krime lufte pati nisur në nëntor të vitit 2023 në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Mbajtja e gjykimeve në mungesë parashihet kur i akuzuari heq dorë vetë nga drejta për të qenë i pranishëm në shqyrtimet gjyqësore. Gjykimi mund të mbahet në mungesë të të akuzuarit dhe kjo mund të bëhet kur prokuroria dhe gjykata t’i kenë shtjerrë të gjitha mjetet për sigurimin e prezencës së të akuzuarit.

Fondi për të Drejtën Humanitare ka thënë më herët gjatë vitit se gjykimet në mungesë shënojnë një kthesë të re në procedimin e rasteve të krimeve të luftës “duke paraqitur një sfidë të re për sistemin gjyqësor në Kosovë”.

 

Të fundit