Flash News

Kosova

Prokuroria Speciale reagon ndaj kërcënimeve ndaj Presidentes Osmani: Po hetojmë

Prokuroria Speciale reagon ndaj kërcënimeve ndaj Presidentes Osmani:

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka reaguar pas kërcënimeve me jetë të dërguara ndaj Presidentes së vendit, Vjosa Osmani. Përmes një deklarate zyrtare, Prokuroria bën me dije se ka autorizuar njësinë përkatëse të Policisë së Kosovës që të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për identifikimin dhe ndjekjen e personave përgjegjës.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka pranuar informacion nga Policia e Kosovës lidhur me rastin konkret. Në kuadër të kësaj, ka autorizuar njësinë përkatëse të Policisë që t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme lidhur me identifikimin dhe zbulimin e kryerësve të mundshëm të veprës penale,” thuhet në reagimin zyrtar.

Kërcënimi është bërë përmes një e-maili të dërguar në adresën zyrtare të Presidencës nga një llogari me emrin “Rrap Tap”. Lajmin e ka konfirmuar këshilltari i Presidentes, Bekim Kupina, duke theksuar se kërcënimi është serioz dhe është në duart e autoriteteve përkatëse.

Në lidhje me ngjarjen ka reaguar edhe bashkëshorti i Presidentes, Prindon Sadriu, i cili përmes një postimi në Facebook denoncoi dhjetëra raste kërcënimesh të përsëritura dhe të drejtpërdrejta ndaj Presidentes dhe familjes së saj.

“Këto nuk janë kërcënime të rastësishme dhe të izoluara, por të vazhdueshme. Ato vijnë si nga profile anonime, ashtu edhe nga individë publikë me emër e mbiemër,” shkroi Sadriu, duke i cilësuar si thirrje të hapura për dhunë jo vetëm ndaj Presidentes si individ, por ndaj vetë institucionit që ajo përfaqëson.

Ai shtoi se përveç kërcënimeve, janë bërë edhe shpifje të fabrikuara që synojnë të nxisin urrejtje dhe të krijojnë një atmosferë ku dhuna shihet si e justifikueshme.

Sadriu kritikoi ashpër mungesën e reagimit nga institucionet shtetërore, duke e cilësuar heshtjen e tyre si bashkëfajësi. Ai paralajmëroi se një qasje e tillë përbën rrezik serioz për sigurinë e Presidentes dhe familjes së saj, si dhe për stabilitetin institucional të vendit.

Të fundit