Flash News

Kosova

Qasja e paqartë e BE-së ndaj Kosovës: mes mosnjohjeve, skepticizmit publik dhe frenimit politik

Qasja e paqartë e BE-së ndaj Kosovës: mes mosnjohjeve,
Qëndrimi ende i paqartë i Bashkimit Evropian ndaj Kosovës lidhet ngushtë me faktin se pesë vende anëtare si Qiproja, Greqia, Sllovakia, Spanja dhe Rumania nuk e kanë njohur pavarësinë e saj që nga viti 2008.
Megjithatë, zhvillimet e fundit dhe të dhënat e një anketimi të ri të Eurobarometrit Special sugjerojnë se mund të ketë hapësirë për një debat të ri brenda Unionit.

Sipas sondazhit, vetëm 43 për qind e qytetarëve të BE-së mbështesin anëtarësimin e Kosovës – përqindja e dytë më e ulët pas Turqisë.
Në disa vende që ende nuk e njohin shtetësinë e Kosovës, mbështetja popullore është befasuese: Spanja (53%), Rumania (52%), Sllovakia (46%) dhe Greqia (45%).
Në shtete kyçe të BE-së si Franca (51%), Italia dhe Gjermania (nga 55%), qëndrimi i opinionit publik është gjithashtu më i hapur ndaj pranimit të Kosovës.

Njohësit më të rreptë se mosnjohësit
Analistja politike Donika Emini, anëtare e Grupit Këshillimor të Politikave të Ballkanit në Evropë (BiEPAG), thekson se mosnjohja formale nuk është pengesa e vetme.
“Në disa raste, njohësit mund të jenë më të vështirë se mosnjohësit për rrugën e Kosovës drejt BE-së,” vlerëson ajo në një intervistë për The New Union Post.

Sipas Eminit, heqja e masave ndëshkuese të BE-së ndaj Prishtinës, të vendosura pas tensioneve në veri, ishte “një nga momentet që e ka kthyer Kosovën vite prapa në procesin e integrimit evropian”.
Ajo shton se Prishtina duhet të zgjidhë më parë çështjet e hapura me Brukselin, përfshirë zbatimin e marrëveshjeve me Serbinë, “përpara se të mendojë seriozisht për hapat e tjerë drejt kandidaturës evropiane”.

Mosnjohësit: të butë e të ashpër
Emini ndan pesë vendet mosnjohëse në dy kategori.
Greqia cilësohet si “mosnjohës i butë”, pasi ruan marrëdhënie të mira diplomatike me Prishtinën, por heziton për shkak të çështjes së Qipros.
Spanja, nga ana tjetër, mbetet “mosnjohësi më i ashpër”, për shkak të ndjeshmërisë ndaj çështjes së Katalonjës dhe kujtesës historike të bombardimeve të NATO-s ndaj Jugosllavisë.

Sllovakia dikur kishte një qasje më të hapur, por qeveria aktuale ka mbyllur zyrën e saj ndërlidhëse në Prishtinë.
Rumania vijon të mbetet pasive, ndërsa Qiproja mund të ndjekë shembullin e Greqisë nëse arrihet një marrëveshje përfundimtare Kosovë–Serbi.


Aleatët që frenojnë përparimin
Sipas Eminit, pengesat e Kosovës nuk vijnë vetëm nga pesë vendet mosnjohëse.
“Disa prej aleatëve tradicionalë të Kosovës presin një sjellje të caktuar nga Prishtina dhe e penalizojnë atë kur nuk i bindet,” shprehet ajo.

Në këtë klimë të përzier skepticizmi dhe përllogaritjesh politike, rruga e Kosovës drejt BE-së mbetet e ngadaltë dhe e pasigurt, pavarësisht se mbështetja në terren duket të jetë më e madhe se ajo që reflektohet në vendimmarrje.

Të fundit