Flash News

Kosova

Qeveria e Kosovës: Jemi në kontakt me tre kosovarë për t’i evakuuar nga Afganistani, janë mirë

Qeveria e Kosovës: Jemi në kontakt me tre kosovarë për

Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës ka sqaruar se është në kontakt me tre shtetas të Kosovës, me qëllim që t’i evakuojë nga Afganistani.

Në një përgjigje për Radios Evropa e Lirë, MPJD konfirmon se është duke punuar së bashku me partnerët ndërkombëtarë që të evakuojë të gjithë shtetasit e Kosovës nga Afganistani.

“Deri në mesditën e së hënës, MPJD është në kontakt të drejtpërdrejt me tre shtetas dhe po angazhohet për t’ju ardhur në ndihmë. Ata janë në gjendje të mirë dhe nuk janë të rrezikuar”, thuhet në përgjigjen e MPJD-së, e cila nga ana tjetër nuk bën të ditur se sa është numri i shtetasve të Kosovës që gjenden në Afganistan.

Situata e sigurisë në Afganistan është përkeqësuar që kur trupat ndërkombëtare, në krye me SHBA-në, njoftuan në maj se deri më 31 gusht do të tërhiqen nga vendi.

Më 15 gusht, talibanët hynë në kryeqytetin afgan, Kabul, teksa presidenti i Afganistanit, Ashraf Ghani u largua nga vendi.

Shumë misione diplomatike në Kabul, përfshirë atë të SHBA-së, kanë nisur evakuimin e stafit të tyre dhe afganëve që kanë bashkëpunuar me ta.
Në aeroportin ndërkombëtar të Kabulit, që po menaxhohet nga trupat amerikane, ka kaos pasi shumë afganë duan të largohen nga shteti.

 

Të fundit