Flash News

Kosova

Qirinj për Klodian Rashën edhe në Prishtinë, reagon Albin Kurti: Revolta rinore nuk pati fjalime, por foli qartë

Qirinj për Klodian Rashën edhe në Prishtinë, reagon Albin

Në ditën e 7-të të protestave në Tiranë dhe disa qytete të tjera të vendit, për vrasjen e Klodian Rashës nga një polic, edhe të rinjtë e Prishtinës janë solidarizuar dhe kanë ndezur qirinj para ambasadës së Shqipërisë në Prishtinë.

Të rinjtë po mbesin shpesh mes dy opsionesh dhune: të lëshojnë vendin ose të përballen me dhunën e pabarazisë dhe eliminimin nga vetë institucionet shtetërore. Këtë e gjeti edhe të riun nga Tirana, Klodian Rashën’, thuhet në reagimin e Lëvizjes Studentore ‘Sundim Kritikë Veprim’.

Lidhur me ngjarjen që ka nxitir prej 7 ditësh protesta në vend, kryesisht në Tiranë ka reaguar edhe Albin Kurti, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje.

Sipas tij, revolta rinore mund të mos ketë patur fjalime të sofistikuara, por foli e qartë. Po ashtu, Kurti komenton edhe qëndrimin e pushtetit politik, duke thënë se shumëçka që është bërë gabim deri më sot, ka prodhuar zhgënjim të madh.

Reagimi i plotë:

Ngushëllime familjes e shoqërisë, dhe mbarë të rinjve shqiptarë, për Klodian Rashën, 25 vjeçarin të cilit ia morën jetën në rrugicën pranë shtëpisë së tij.

I kam ndjekur me vëmendje nga mediat protestat dhe e kam ndjerë edhe në Prishtinë revoltën e të rinjve në Tiranë e qytete të tjera të Shqipërisë. Thirrja “Drejtësi për Klodianin” ka bërë jehonë kudo mes shqiptarëve.

Ata që janë në majë të pushtetit politik e shtetëror, biznesor e mediatik, tash e kanë momentin e fundit që të kuptojnë se shumëçka që është bërë gabim deri më sot, ka prodhuar zhgënjim të madh.

Janë zhgënjyer qytetarët tanë, rinia jonë, siç janë zhgënjyer edhe partnerët ndërkombëtarë që kanë interes në forcimin e shqiptarëve.

Revolta rinore mund të mos ketë patur fjalime të sofistikuara mirëpo ajo foli e po flet qartë. Bashkë me fenomenin tjetër, emigrimin masiv, këto revolta po japin mesazhin se shqiptarët nuk mund të bashkëjetojnë më me këtë lloj sistemi politik dhe ekonomik korruptiv, që shkakton padrejtësi, pabarazi e prapambetje.

Edhe në Kosovë jemi në të njëjtën pikë, por këtu ende nuk po shpërthen revolta, sepse është edhe një shpresë. Atë shpresë nuk do ta lëmë pa e bërë realitet.

Sigurisht, me angazhimin e shqiptarëve, e sidomos të rinjve, edhe në Shqipëri do të mundësohet rikthimi i shpresës, e ndryshimi i rrugës, larg korrupsionit dhe drejt zhvillimit. Shqipëria ka plot njerëz të ndershëm, të aftë e të palodhur, që u qan zemra për ta parë vendin e vet mirë, me demokraci e drejtësi. U duhet vetëm të nisin të organizohen e të strukturohen, për t’i kapërcyer pengesat e vjetra, dhe kam bindjen që shpejt do të ndodhë edhe ajo.

Drejtësi për Klodianin do të thotë drejtësi e demokraci e mirëfilltë për Shqipërinë.

Të fundit