Flash News

Kosova

Ra pre e mashtrimit nga dy komedianë rusë, reagon zyra e Albin Kurtit: Ishte viktimë e një telefonate të rreme

Ra pre e mashtrimit nga dy komedianë rusë, reagon zyra e Albin Kurtit:

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka rënë viktimë e një thirrjeje me video nga dy humoristët rusë Vladimir Kuznetsov dhe Alexei Stolyarov, të njohur si Vovan dhe Lexus, pak pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë.

Ata kanë publikuar një video në të cilën kanë mashtruar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, duke u paraqitur si presidenti i Letonisë. Lidhur me këtë incident ka reaguar Zyra e Kryeministrit të Kosovës.

Përmes një postimi në platformën X, zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, ka konfirmuar se Kurti ka qenë viktimë e një telefonate të rreme.

Sipas njoftimit zyrtar, thirrja mashtruese ka ndodhur më 11 shkurt, menjëherë pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, në një periudhë kur Kryeministri po merrte shumë telefonata dhe mesazhe urimi për rezultatin zgjedhor.

Për shkak të kufizimeve kohore, Zyra e Kryeministrit ka arsyetuar se verifikimi i plotë i çdo thirrjeje nuk ka qenë gjithmonë i mundur.

“Kjo situatë e pafat konfirmon atë që dihet prej kohësh: Rusia vazhdon të ndërhyjë në punët e brendshme të Kosovës. Gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, Sputnik Serbia dhe Russia Today (RT) kanë publikuar mbi 60 lajme të rreme dhe artikuj dezinformues, duke ndërhyrë në procesin tonë demokratik, siç është dokumentuar nga Misioni i Vëzhgimit të Zgjedhjeve të BE-së”, thuhet në reagimin e Kryeministrisë.

 

 


 

Të fundit