Flash News

Kosova

Radoiçiç pret vendimin për aktakuzën në Serbi, Kosova këmbëngul në ekstradim

Radoiçiç pret vendimin për aktakuzën në Serbi,

Për Kosovën, ish-politikani serb, Millan Radoiçiq, mbetet thelbi i problemeve të sigurisë. Për më shumë se një vit, emri i tij lakohet si “kriminel”, “terrorist” e “kontrabandist” dhe përmendet në akuza - qofshin zyrtare apo verbale - për orkestrimin e sulmeve në Kosovë.

“Të gjitha këto sulme që kanë ndodhur, por edhe sulmet në të ardhmen që i planifikojnë, drastikisht bie gjasa që të realizohen, nëse u dorëzohet institucioneve të Kosovës, të policisë e të drejtësisë, Millan Radoiçiq”, tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Ai e bëri këtë deklaratë pas sulmit të 29 nëntorit në Ibër-Lepenc - kanalin që furnizon me ujë disa qytete dhe termoelektrana të vendit. Kurti implikoi Radoiçiqin dhe vetë shtetin e Serbisë në organizimin e tij, edhe pse udhëheqja serbe e mohoi çdo përgjegjësi.

Radoiçiq, përndryshe, ka një aktakuzë në Kosovë - për rastin e sulmit të armatosur në Banjskë - e cila, mes tjerash, e ngarkon me terrorizëm. Kundër tij ka edhe një fletarrestim.

Ajo që dihet është se ai gjendet në Serbi - së paku sipas autoriteteve atje. Ndaj, Kurti, pas sulmit në Ibër-Lepenc, kërkoi nga bashkësia ndërkombëtare që t’i bëjë trysni Beogradit për ta dorëzuar në Kosovë.

“Në Kosovë ka sundim të ligjit. Gjykatat janë pakrahasimisht më të mira se në Serbi. Këtë e thonë edhe raportet ndërkombëtare”, tha Kurti.

Radio Evropa e Lirë nuk arriti të sigurojë ndonjë përgjigje nga Qeveria e Kosovës nëse ka marrë ndonjë garanci nga bashkësia ndërkombëtare. Ngjashëm, as Departamenti amerikan i Shtetit e as Bashkimi Evropian nuk iu përgjigjën pyetjes së REL-it se si do të procedojnë pas thirrjes së Kurtit.

Augustin Palokaj, gazetar që prej vitesh përcjell politikën evropiane, thotë se gjasat që Radoiçiq t’i dorëzohet Kosovës, janë joreale.

“Kjo kërkesë apo ky kusht nga kryeministri i Kosovës shihet si i logjikshëm dhe i arsyeshëm, pasi që Serbia nuk është duke ndërmarrë ndonjë masë”.

“Mirëpo, Serbia nuk ekstradon askënd në asnjë vend tjetër, kështu që Bashkimi Evropian ka mirëkuptim për të gjitha vendet e rajonit, që nuk i ekstradojnë shtetasit e tyre në vendet e tjera - me përjashtim të strukturave gjyqësore ndërkombëtare”, thotë Palokaj për programin Expose të Radios Evropa e Lirë.

Toby Vogel, nga Këshilli për Politikat e Demokratizimit në Berlin, thotë se koha për t’i bërë presion presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për të ndërmarrë masa kundër Radoiçiqit, është tani, përpara se presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, ta marrë detyrën në janar.

Vogel thotë se ky presion duhet të vijë nga BE-ja, sepse kthimi i Trumpit nuk pritet të sjellë ndonjë gjë pozitive për Ballkanin Perëndimor, sipas tij.

“Nëse do të kishte presion për ekstradimin e Radoiçiqit, është vështirë të thuhet, marrë parasysh marrëdhëniet e komplikuara mes Kosovës dhe Serbisë. Nuk është e pazakonshme për shtetet që të mos i ekstradojnë shtetasit e tyre. Por, administrata e presidentit aktual amerikan, Joe Biden, dhe BE-ja duhet t’ia bëjnë të qartë Vuçiqit se është e patolerueshme që Radoiçiq të vazhdojë të jetë i lirë në Serbi”, thotë Vogel për Exposenë./ REL

Të fundit