Flash News

Kosova

Rifillon qarkullimi i kamionëve drejt Serbisë pas përfundimit të bllokadës nga transportuesit serbë

Rifillon qarkullimi i kamionëve drejt Serbisë pas përfundimit

Qarkullimi i kamionëve dhe mjeteve transportuese nga Kosova drejt kufirit me Serbinë ka rifilluar pasditen e së premtes, pasi transportuesit serbë i kanë dhënë fund bllokadës disaditore, ka njoftuar Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar e Kosovës.

Shoferët e kamionëve nga Serbia deklaruan se vendimi për heqjen e bllokadës u mor pas pesë ditësh protestë, duke theksuar se Komisioni Evropian “ka sqaruar për herë të parë qartë se shoferët profesionistë përbëjnë një kategori të veçantë punëtorësh, të cilët kanë nevojë për qëndrim më të gjatë se 90 ditë në territorin e Bashkimit Evropian”.

Aktualisht, bllokadat po vazhdojnë vetëm nga transportuesit e Bosnje e Hercegovinës, ndërsa kolegët e tyre nga Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut hoqën dorë nga masat protestuese të enjten.

Ky zhvillim erdhi pasi Komisioni Evropian bëri të ditur se po punon në një strategji të re për viza, e cila synon të zgjidhë problemin e kufizimit të ditëve të qëndrimit për punëtorët e vendeve të treta që hyjnë në Zonën Schengen.

Bllokadat kishin shkaktuar ndërprerje serioze të qarkullimit të mallrave, duke bllokuar për katër ditë terminalet në 22 pika dalëse dhe 19 pika hyrëse vetëm në Serbi.

Të fundit