Flash News

Kosova

SHBA godet krimin e organizuar në Veri të Kosovës, emrat e persona në ‘listën e zezë’

SHBA godet krimin e organizuar në Veri të Kosovës, emrat e

SHBA ka vendosur sanksione ndaj dhjetëra individëve dhe subjekteve në të gjithë Evropën dhe hemisferën perëndimore, duke shënjestëruar edhe një grup të krimit të organizuar në veriun e Kosovës.

Departamenti Amerikan i Thesarit për Kontrollin e Pasurive të Huaja ka targetuar 16 individë dhe 24 subjekte në disa shtete në Evropë mes tyre edhe grupin e Zvonko Veselinoviç në Veri.

Në njoftimin e këtij departamenti thuhet se këto veprime janë ndërmarrë në përputhje me Urdhrin Ekzekutiv 13818 i cili targeton personat e korruptuar dhe abuzimin e rëndë të të drejtave të njeriut.

Në njoftim thuhet se Zvonko Veselinoviç si kreu i Grupit të Organizuar Kriminal është një nga figurat më të korruptuara dhe famëkeqe të Kosovës.

Përveç tij në listë janë edhe i vëllai Zharko Veselinoviç, pastaj Zhelko Bojiç, Milan Mihajloviç, Sinisha Nedeljkoviç, Radovan Radiç, Milan Radisavleviç, Milojko Radisavleviç, Milan Radojçiç, Marko Rosiç, Radule Steviç, Milivoje Vuloviç.

Grupi akuzohet veç të tjerash për marrëveshje me politikanët për të ndihmuar fitoren e tyre në zgjedhje dhe mbështetjen financiare për ta.

Në këmbim, politikanët do t’u jepnin vëllezërve kontratat më të mira të infrastrukturës dhe kontrollin e zonave të caktuara për bizneset e tyre.

Veselinovic nga Zveçani, është i  njohur në Kosovë dhe në Serbi si bosi i kontrabandës me derivate të naftës, me tekstil, vetura dhe mekanizëm tjetër të rëndë. AI është i njohur edhe për faktin se ishte gjetur në grupin e njerëzve të cilët pengonin kalimin e shqiptarëve nga jugu në veri të Mitrovicës dhe i cili ishte organizatori kryesor për vendosjen e barrikadës mbi urën kryesore të lumit Ibër në korrikun e vitit 2011.  

Të fundit