Flash News

Kosova

"SHBA nuk donte shkëmbim territoresh", ish-ministrja: Marrëveshja e Trump ofroi përfitime për Kosovën

"SHBA nuk donte shkëmbim territoresh", ish-ministrja:

Ish-ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Meliza Haradinaj iu rikthye marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë të arritur nga ish-Presidenti amerikan, Donald Trump.

Duke folur në Syri tv, ajo ka vlerësuar se kjo marrëveshje ka qenë shumë më e favorshme për Kosovën sesa për Serbinë, duke theksuar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë pasur një qëndrim të qartë kundër një shkëmbimi territoresh.

Në fjalën e saj, Haradinaj është shprehur se marrëveshja ka sjellë përfitime të shumta për Kosovën, por për Serbinë mbeten ende obligime të pasqaruara.

'Marrëveshja që u arrit nga zoti Trump mes Kosovës dhe Serbisë doli të jetë shumë më e favorshme për Kosovën sesa për Serbinë.

Edhe para asaj marrëveshjeje, ne kishim një deklaratë eksplicite të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku theksohej, siç ishte përmendur edhe në letrat e presidenteve më parë, por edhe në atë deklaratë, se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk janë për një shkëmbim territoresh si zgjidhje e pretenduar mes Kosovës dhe Serbisë dhe se nuk ka qenë kurrë opsion që është imponuar nga SHBA, dhe aq më pak nga Shtëpia e Bardhë.

Fatmirësisht, ne morëm të gjitha të mirat e asaj marrëveshjeje që i ofroi Kosovës, ndërsa obligimet për Serbinë ende mbeten, dhe nëse e krahasojmë sot me një marrëveshje të Ohrit, të cilën e fasilitoj dhe e lehtësoi Bashkimi Europian një vit më parë, atëherë është një ndryshim shumë i madh.

SHBA, në një kohë kur zoti Haradinaj ishte në qeverisje, nuk është deklaruar asnjëherë se do të tërhiqen trupat nga kampi Bondsteel, dhe kjo është një propagandë shumë e madhe dhe e keqe, e dëmshme, që është bërë për të ngritur sentimentin antiamerikan asokohe. Pa dyshim ka pasur presion, mirëpo presioni ka qenë që të portretizohej zoti Haradinaj si një person që nuk e dëgjon Amerikën dhe që heq taksën 100%, ndërkohë që taksa 100% ishte vendosur për të ndaluar një shkëmbim të mundshëm territoresh.

Gjeneza e problemit dhe e shkëmbimit të territoreve ishte në Kosovë, në Shqipëri dhe në Serbi; nuk vinte nga Departamenti i Shtetit Amerikan as nga Shtëpia e Bardhë, prandaj edhe krijohej ai sentimenti antiamerikan i ashtuquajtur, sepse unë edhe sot nuk besoj se ka ndonjë lider kosovar që është antiamerikan. Ky sentiment atëherë, asokohe, pretendohej ose synohej të shërbente për të arritur qëllimin e shkëmbimit të territoreve.'- u shpreh Haradinaj.

Të fundit