Flash News

Kosova

Sot tentativa e 24-të për konstituimin e Kuvendit në Kosovë

Sot tentativa e 24-të për konstituimin e Kuvendit në Kosovë

Paraditen e sotme, Kosova do të bëjë përpjekjen e 24-të për konstituimin e legjislaturës së nëntë të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit. Ashtu si në seancat e mëparshme edhe në seancën e kaluar të mbajtur të enjten, deputetët refuzuan ta formonin një komision për mbikëqyrjen e një votimi të fshehtë për kryeparlamentaren.

Kjo formë e votimit është dërguar në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës nga partitë që në legjislaturën e kaluar ishin në opozitë. Deputetët kanë kaluar vetëm dy pika të agjendës së seancës konstituive: raportin e Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe atë të betimit të deputetëve.

Por, procesi ka ngecur te pika e tretë te zgjedhja e kryeparlamentarit. Për mosthemelimin e institucioneve ka reagime e thirrje për të dalë nga ngërçi brenda dhe jashtë vendit. Organizatat e shoqërisë civile kanë paralajmëruar për pasojat që do të ketë Kosova për shkak të mospasjes së institucioneve. Një prej pasojave më të ndjeshme që këto organizata listuan ishte pamundësia e ratifikimit të marrëveshjes me Bashkimin Europian për fonde.

Po ashtu edhe nga Bashkimi Europian i është bërë thirrje Kosovës që të themelojë institucionet dhe të nisë punën për të përfituar nga Plani i Rritjes që blloku ka hartuar për vendet e rajonit – disa prej të cilave veçse kanë filluar të marrin paratë.

Të fundit