Flash News

Kosova

Takim Kosovë-Serbi në Bruksel, palët bien dakord për zbatimin e marrëveshjes për të pagjeturit

Takim Kosovë-Serbi në Bruksel, palët bien dakord për

Ka përfunduar me arritjen e një marrëveshje takimi trepalësh mes kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak sot në Bruksel.

Takimi u zhvillua në kuadër të procesit të dialogut ndërmjet dy palëve dhe zgjati më shumë se dy orë.


Shefi i delegacionit të Kosovës, Besnik Bislimi, dhe ai i Serbisë, Petar Petkovic e konfirmuan këtë pas takimit me përfaqësuesin e Posaçëm të BE-së për dialog, Miroslav Lajçak.

“Tani mund të ecim tutje që gjatë muajit të ardhshëm të mbahet mbledhja e parë e komisionit të përbashkët. Ka premtime nga ana e Serbisë që nuk do të ketë tendenca që në të ardhmen puna e këtij komisioni të pengohet”, tha Bislimi.

Ndërkaq Petkovic tha se tani është hequr pengesa e fundit kur flasim për zbatimin e deklaratës për personat e pagjetur.


“Ajo për çfarë ramë dakord është se ne kemi bërë hapin e fundit të nevojshëm për çështjen e personave të pagjetur, kështu që tani është hequr pengesa e fundit kur flasim për zbatimin e deklaratës për personat e pagjetur. Kjo do t’i japë mbështetje grupit të punës të kryesuar nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq,” tha Petkovic duke theksuar se për Serbinë, kjo çështje mbetet një “çështje humanitare dhe jo politike, e cila patjetër duhet të zgjidhet.”

Siç raportojnë mediat serbe, Petkovic gjithashtu nënvizoi rëndësinë e formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, duke theksuar se kjo është një nga çështjet më të rëndësishme për serbët në Kosovë dhe për Beogradin.

Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, ka reaguar duke thënë se pas tre vitesh dialog, bisedimesh të vazhdueshme dhe tendencave të pajustifikueshme për zvarritje nga ana e Serbisë, sot në Bruksel është miratuar formimi i Komisionit të Përbashkët që do të mbikëqyrë zbatimin e Deklaratës për Personat e Zhdukur.


“Ky hap përbën një moment të rëndësishëm në adresimin e shqetësimeve tona lidhur me këtë çështje kaq të ndjeshme dhe të rëndësishme për familjet dhe shoqërinë tonë”, thuhet në njoftim.

 

Të fundit