Flash News

Kosova

Takimi me Macron, Kurti dhe Osmani zbardhin diskutimet me presidentin francez

Takimi me Macron, Kurti dhe Osmani zbardhin diskutimet me presidentin francez

Pas takimit me presidentin francez Emmanuel Macron sot në Pallatin Elysee, kryeministri Albin Kurti dhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani kanë treguar për diskutimet që janë zhvilluar mes tyre.

Kurti ka njoftuar se bashkë me Osmanin, gjatë takimit me Macron, kanë biseduar për dy marrëveshjet në tavolinë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Në Pallatin Élysee u pritëm nga Presidenti i Republikës franceze, Emmanuel Macron. Në takimin e përbashkët me Presidenten Osmani, biseduam për thellimin e marrëdhënieve bilaterale në mes të dy shteteve, dialogun për marrëveshje Kosovë-Serbi, si dhe zhvillimet e fundit. Potencuam se Kosova ka propozuar kornizën e përgjithshme të marrëveshjes, ndërsa propozimi franko-gjerman shërben si bazë e mirë për diskutime të mëtejshme”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Ndërkohë, Osmani ka thënë se bashkë me Kurtin kanë shprehur përkshtimin e institucioneve të Kosovës për procesin e dialogut.

“Në Pallatin Élysée, bashkë me Kryeministrin Kurti, u pritëm nga Presidenti i Francës, Emmanuel Macron për të diskutuar partneritetin në mes të dy shteteve tona, dinamizimin e dialogut me Serbinë, si dhe zhvillimet e fundit në vendin tonë.  Shprehëm përkushtimin e plotë të institucioneve të Kosovës për procesin e dialogut, të bazuar në ruajtjen e sovranitetit, rendit kushtetues, integritetit territorial dhe funksionalitetit të Kosovës, të cilat janë të paprekshme”, ka shkruar ajo.

 

 

Të fundit