Flash News

Kosova

Takimi me ministrin e Jashtëm grek, Osmani për dialogun Kosovë-Serbi: Zbatimi të jetë në përputhje me Kushtetutën

Takimi me ministrin e Jashtëm grek, Osmani për dialogun

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani priti një takim ditën e sotme ministrin e Punëve të Jashtmë të Greqisë, Nikos Dendias, ku ndër temat që u folën ishte dhe proçesi i dialogut Kosovë-Serbi.

Sipas njoftimit për media të Presidencës,  në lidhje me dialogun me Serbinë, Osmani ka theksuar se plani i zbatimit të marrëveshjes duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Republikës.

“Në lidhje me zhvillimet e fundit në procesin e dialogut me Serbinë, Presidentja Osmani ka theksuar se plani i zbatimit të marrëveshjes duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Republikës, e cila do t’i kontribuojë paqes dhe stabilitetit afatgjatë në rajon, gjersa ka ritheksuar se koordinimi i Kosovës me aleatë në këtë proces do të vazhdojë”, thuhet në njoftim.

Më 27 shkurt në Bruksel, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, e pranuan planin evropian për normalizimin e raporteve. Bartësit e dialogut, po ashtu, u shprehën të gatshëm të punojnë në planin për zbatimin e këtij propozimi.

Veç dialogut, Osmani tha se me ministrin grek ka diskutuar edhe për zhvillimet e fundit në rajon dhe forcimin e bashkëpunimit dypalësh në mes të Kosovës dhe Greqisë.

“Kosova vazhdon të jetë e angazhuar për paqe afatgjate në rajon, forcim të demokracisë dhe integrim të plotë në institucionet euroatlantike”, shkroi Osmani në Facebook.

Të fundit