Flash News

Kosova

Tensionet në veri, Kurti për ‘The Guardian’: Situata mund të përshkallëzohet në avantazh të Putinit

Tensionet në veri, Kurti për ‘The Guardian’: Situata mund

Veriu i Kosovës vijon të mbetet nën tensione. Serbët kanë refuzuar të tërheqin barrikadat e vendosura në rrugë pavarësisht thirrjes së ndërkombëtarëve.

Kryeministri Albin Kurti në një intervistë për ‘The Guardian’ ka folur rreth situatësnë vend, teksa ka drejtuar gishtin nga Rusia si nxitëse e konflikteve me Kosovës dhe Serbisë. Sipas Kurtit, ndikimi u vu re me kërkesën që Serbia i bëri KFOR-it për dislokimin e trupave ushtarakë.

“Shqetësimi ynë është se heqja e këtyre barrikadave nuk mund të përjashtojë viktimat,” tha ai. “Dhe kjo është arsyeja pse ne duam të jemi sa më të kujdesshëm për t'u siguruar që nuk do të ketë destabilizim dhe do të ketë paqe dhe siguri relative. Megjithatë, ne nuk mund ta lejojmë përgjithmonë këtë shkelje të ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë. Pra, po, kjo duhet të përfundojë, sa më shpejt aq më mirë.”

Teksa foli për presionin që ndërkombëtarët kanë ushtruar mbi Beogradin, Kurti tha se situata e tensionuar mund të përshkallëzohej në avantazhin e Vladimir Putin, pasi forcat ruse dhe serbe kanë kryer 104 stërvitje të përbashkëta ushtarake në vitin 2021.

“BE-SHBA të gjitha pajtohen që barrikadat duhet të hiqen. Por ata janë gjithashtu të shqetësuar se si kjo mund të përdoret dhe abuzohet nga Beogradi. Mendoj se shqetësimi i partnerëve dhe miqve tanë perëndimorë janë lidhjet e Beogradit me Moskën. Nuk e dimë se si mund të vihen në funksion në rast të rritjes së tensioneve, drejt përshkallëzimit në veri. Unë mendoj se shqetësimi i tyre kryesor është pikërisht ky: tani që Rusia u plagos rëndë në Ukrainë pas pushtimit dhe agresionit të saj, ata kanë interes për përhapje. Ata kanë interes të transferojnë përpjekjet e tyre luftënxitëse në Ballkan, ku kanë një klient që është në Beograd”, tha Kurti.

Serbët etnikë në veri të Kosovës, ku janë shumicë, kanë barrikada të ngritura për më shumë se një javë, duke penguar lëvizjen e lirë të autoriteteve kosovare, pavarësisht thirrjeve të SHBA-së dhe BE-së për çmontimin e blloqeve të paligjshme të rrugëve.

Një grup i madh anëtarësh të Narodne Patrole, një organizatë nacionaliste serbe me lidhje me grupin paraushtarak rus Wagner, ishin mbledhur gjithashtu të dielën në anën serbe të kufirit Serbi-Kosovë duke kërcënuar se do të përballeshin me trupat e NATO-s.

Me rrezikun e rritjes së përleshjeve të dhunshme, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, përdori të drejtën e tij sipas një rezolute të OKB-së për t'i kërkuar NATO-s leje për të dërguar 1000 policë dhe personel të ushtrisë, duke përmendur nevojën për të mbrojtur komunitetet serbe.

Kërkesa e Serbisë të premten, e para që nga përfundimi i luftës në Kosovë në vitin 1999, pothuajse me siguri do të refuzohet, por shqetësimi do të jetë se mund të jetë hapi i parë drejt një vendimi të njëanshëm për t'u vendosur.

Të fundit