Flash News

Kosova

Tentojnë të grabisin bankomatin, plagoset efektivi i policisë

Tentojnë të grabisin bankomatin, plagoset efektivi i policisë

Një efektiv i Policisë së Kosovës është plagosur me armë zjarri nga disa persona që po tentonin të grabisnin para nga një bankomat.

Ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit në një qendër tregtare në lagjen Veternik, në Prishtinë.

Policia e Kosovës tha se po kryen ekzaminimet e nevojshme, si dhe po ndërmerr të gjitha masat policore për një hetim të detajuar, me qëllim të identifikimit të të dyshuarve.

Njoftimi i policisë së Kosovës:

Prishtinë, 18 dhjetor 2020 – Sot rreth orës 05:30 është pranuar informata për një tentativë grabitjeje të një bankomati në një qendër tregtare në lagjen Veterniku në Prishtinë.

Me të marrë informatën policia me shpejtësi ka dalë në vendin e ngjarjes dhe të dyshuarit për t’iu shmangur kapjes nga policia kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të zyrtarëve policor dhe për pasojë kanë plagosur një zyrtar policor, i cili menjëherë është dërguar në QKUK për trajtimin e nevojshëm mjekësor.

Aktualisht policia është në vendin e ngjarjes dhe po kryen ekzaminimet e nevojshme si dhe po ndërmerr të gjitha masat policore për një hetim të detajuar me fokus identifikimin e të dyshuarve, lokalizimin e vendndodhjes së tyre si dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.

Në lidhje me ngjarjen ka reaguar edhe kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, i cili i uron shërim të shpejtë policit të plagosur.

Statusi i kryeministrit Hoti:

Policia e Kosovës është Institucioni më i besuar në vend për zbatimin e rendit dhe ligjit. Zyrtarit policor i cili u plagos sot gjatë kryerjes së detyrës, i dëshiroj shërim sa më të shpejtë. Dua të theksoj se, integriteti fizik i policit është i pacenueshëm dhe sulmet ndaj zyrtarëve policor janë të pa pranueshme.

Të fundit