Flash News

Kosova

Thyen heshtjen zgjedhore, partitë politike në Kosovë gjobiten me mbi 120 mijë euro

Thyen heshtjen zgjedhore, partitë politike në Kosovë gjobiten me

Partitë politike në Kosovë janë gjobitur me mbi 120 mijë euro për shkak të thyerjes së heshtjes zgjedhore për zgjedhjet e përgjithshme të 14 shkurtit.

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka njoftuar këtë të mërkurë se për tre ditë, ka vendosur për 134 ankesa, duke i pranuar 117 prej tyre si të bazuara.

Partia e ndëshkuar më së shumti është Partia Demokratike e Kosovës me 42 mijë e 500 euro. Pas saj vjen Lëvizja Vetëvendosje me 37 mijë e 500 euro. Lidhja Demokratike e Kosovës është gjobitur me 22 mijë euro. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 16 mijë e 250 euro. Nisma me dy mijë e Lista Serbe me një mijë euro.

“Natyra e ankesave të paraqitura kanë qenë, heshtja zgjedhore, thyerja e heshtjes zgjedhore gjatë ditës së votimit për të votuar subjektin e caktuar politik, thirrja për të votuar disa kandidatë nëpërmjet portaleve të gazetave, shpërndarja apo postimi i disa fotografive me aktivitet elektoral në rrjete sociale si Facebook, thirrje për të votuar nëpërmjet rrjetit social Facebook, bërja e fushatës me veturë 100 metra afër qendrës së votimit, shpërndarja e SMS-ve për votim te qytetarët, vendosja e banerëve me foto të kandidatëve në afërsi të shkollës, vendosja e posterve të kandidatëve në oborrin e Qendrës së Votimit, mbajtja e fushatës gjatë ditës së votimit”, thuhet në njoftimin e PZAP-së.

Sipas të dhënave preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje fitoi zgjedhjet e 14 shkurtit me rreth 48 për qind të votave.

 

Të fundit