Flash News

Kosova

Vdekja e 27-vjeçarit, dorëhiqet komandanti i Policisë së Lipjanit

Vdekja e 27-vjeçarit, dorëhiqet komandanti i Policisë së

Drejtor i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka konfirmuar se ka miratuar kërkesën për dorëheqje të Komandantit të Policisë për rajonin e Lipjanit, Argjend Gashi, pas incidentit tragjik që ndodhi këtë javë, në të cilin humbi jetën 27-vjeçari Agon Zejnullahu.

Hoxha ka deklaruar se: “Ka bërë kërkesë për lirim nga detyra dhe i është aprovuar”, duke nënvizuar se ky vendim është marrë pas ngjarjes që ka tronditur komunitetin lokal në Lipjan.

Ndërkohë, pesë zyrtarëve të Policisë së Kosovës, të cilët e kanë ndaluar të ndjerin më 7 korrik, iu është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji. Ata dyshohen për kryerjen e veprës penale “vrasje nga pakujdesia”.

Ky rast ka nxitur reagime nga zyrtarë të lartë shtetërorë, përfshirë presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, dhe ministrin e Brendshëm në detyrë, Xhelal Sveçla. Ata kanë kërkuar hetime të thella dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Familja e viktimës ka shprehur shqetësim dhe zhgënjim për mungesën e transparencës nga ana e autoriteteve. Vëllai i Agon Zejnullahut, në një deklaratë për mediat, theksoi se ata nuk kanë marrë ende asnjë informacion lidhur me rrethanat e vdekjes, ndërsa trupi i të ndjerit ishte “plot shenja dhe thyerje”.

Njëkohësisht, shoqëria civile ka shfaqur shqetësim për trajtimin e rastit nga ana e policisë. Aktivistët kanë ngritur pyetje lidhur me mundësitë dhe përgatitjen e zyrtarëve të policisë, duke theksuar se periudha e trajnimit të tyre është zvogëluar nga gjashtë në tre muaj. Ekspertët e sigurisë kanë paralajmëruar se ky reduktim mund të ndikojë në aftësinë e oficerëve për të përballuar situata komplekse në terren.

 

Të fundit