Flash News

Kosova

Vrau 13 persona gjatë luftës së Kosovës, 20 vite burg për Goran Stanishiq

Vrau 13 persona gjatë luftës së Kosovës, 20 vite burg

Goran Stanishiq është dënuar me 20 vite burgim nga Gjykata Themelore në Prishtinë, pasi u gjet fajtor për vrasjen e 13 personave në Sllovi të Lipjanit gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Aktgjykimi ndaj tij u shpall të martën nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Valon Kurtaj.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, i akuzuari Goran Stanishiq, si pjesëtar i forcës policore rezervë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, në muajin prill të vitit 1999, gjatë luftës në Kosovë, gjatë një sulmi të gjerë dhe sistematik të forcave ushtarake paramilitare dhe policore serbe kundër popullatës civile shqiptare, në fshatrat Sllovi dhe Tërbovc, në bashkëveprim me pjesëtarë të tjerë të këtij njësiti, kishte marrë pjesë në dëbimin e popullatës civile shqiptare dhe në kryerjen e vrasjeve dhe veprimeve të tjera të kundërligjshme.

“Më 15 prill 1999, në fshatin Sllovi të Komunës së Lipjanit, i pandehuri në bashkëveprim me pjesëtarë të tjerë të njësitit, kishin shkuar në oborrin e shtëpisë së familjes G, kanë urdhëruar anëtarët e kësaj familje të dalin nga shtëpia, dhe pasi që ata kishin dal, i kishin ndarë meshkujt nga gratë, i kishin detyruar gratë dhe fëmijët të dalin nga oborri në rrugë.

Në prezencë të dëshmitarëve Z.G dhe vajzës së saj Xh.H, që ende nuk kishin dal nga oborri, i kishin rreshtuar pranë murit të oborrit të shtëpisë M.G, dy djemtë e tij O.G dhe E.G, dhe dy nipat e tij, A.G dhe B.H, e pastaj kanë shtënë në drejtim të tyre me armë automatike dhe që të gjithë i kishin vrarë në vend, e pastaj e kishin detyruar Z.G dhe X.H që të largoheshin nga oborri. Në të njëjtën ditë dhe në të njëjtin fshat, në bashkëveprim me pjesëtarë të tjerë të njësitit, me automjet kishin shkuar në oborrin e shtëpisë së familjes B.

Pasi kishin dal nga vetura, kishin shtënë me armë automatike në drejtim të F.G, B.B, F.B dhe R.B, të cilët kishin qenë në oborr afër bunarit, dhe e kishin vrarë F.B duke e qëlluar në shpinë, ndërsa F.G, B.B dhe R.B kishin shpëtuar duke ikur me vrap në drejtime të ndryshme nga vendi i ngjarjes.

Gjithnjë sipas aktakuzës, të njëjtën ditë dhe në të njëjtin fshat, në afërsi të shkollës së vjetër të fshatit, kishin ndarë nga kolona e popullatës civile shqiptare që i kishin detyruar të braktisin fshatin, J.K, B.G, V.P, R.K, A.I dhe F.B, dhe pasi që i kishin rreshtuar përball një muri, kishin shtënë në drejtim të tyre me armë automatike, duke i vrarë të gjithë në vend, raporton “Betimi për Drejtësi”,” thuhet në aktakuzën e Stanishiq.

Prokuroria deklaroi se i akuzuari në bashkëveprim me pjesëtarë të tjerë të panjohur dhe persona të tjerë të armatosur, ka kryer veprën penale “Krimet e luftës kundër popullsisë civile”.

 

Të fundit