Flash News

Kosova

Zgjedhjet e jashtëzakonshme në veri të Kosovës, Lista Serbe nuk do marrë pjesë

Zgjedhjet e jashtëzakonshme në veri të Kosovës, Lista Serbe

Lista Serbe nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme që do të mbahen në katër komunat në veri të Kosovës në 23 prill.

Kjo parti politike nuk ka paraqitur në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve asnjë kandidat për pjesëmarrje në zgjedhje për kryetar në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviç dhe Zubin Potok, apo për ndonjërën nga dy kuvendet komunale, Zveçan dhe Leposaviç.

 “KQZ njofton se ka përfunduar periudha e aplikimit për certifikim të subjekteve politike dhe kandidatëve për pjesëmarrje në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunave: Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviç dhe Zveçan dhe në zgjedhjet e parakohshme për kuvendet komunale: Zveçan dhe Leposaviç, të cilat do të mbahen më 23 prill. Gjatë periudhës 14 ditore të aplikimit (09 – 22 mars 2023) Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka pranuar ndonjë aplikim nga ndonjë subjekt politik”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.

Sipas KQZ-së, në fund të vitit 2022, ky institucion kishte certifikuar 11 kandidatë për pjesëmarrje në zgjedhje në ndonjërën nga katër komunat, dhe 63 kandidatë për garën në zgjedhjet për dy kuvendet komunale.

 “Nga 9 deri më 13 mars 2023, subjektet politike dhe kandidatët e certifikuar në nëntor dhe dhjetor të vitit 2022, për pjesëmarrje në zgjedhjet e 18 dhe 25 dhjetorit, kanë konfirmuar certifikimin e mëhershëm dhe të njëjtit nuk kanë pasur nevojë të paraqesin aplikim nga fillimi, me përjashtim të udhëzimeve të dhëna nga Zyra për Regjistrim, Certifikim dhe Kontroll Financiar të Subjekteve Politike”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.

Të fundit