Flash News

Kosova

Zgjedhjet Lokale në Kosovë do të mbahen më 12 Tetor

Zgjedhjet Lokale në Kosovë do të mbahen më 12 Tetor

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka caktuar datën 12 tetor 2025 për mbajtjen e zgjedhjeve të rregullta lokale në të gjithë vendin.

Vendimi u mor pas shqyrtimit të propozimeve të subjekteve politike dhe analizës së afateve kushtetuese e ligjore, bëri të ditur Presidenca në një njoftim zyrtar. Caktimi i kësaj date synon t’u japë institucioneve përgjegjëse, përfshirë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), kohën e nevojshme për një përgatitje të plotë dhe profesionale të procesit zgjedhor.

“Presidentja Osmani ka caktuar 12 tetorin e vitit 2025 si datën për mbajtjen e zgjedhjeve të rregullta lokale në Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftimin e Presidencës. “Ky vendim synon të sigurojë respektimin e standardeve më të larta të administrimit zgjedhor, si dhe përgatitjen e plotë teknike dhe logjistike të procesit.”

Presidentja ka ftuar të gjitha partitë politike, organizatat e shoqërisë civile dhe qytetarët që të angazhohen me përgjegjësi në këtë proces, për të garantuar një atmosferë zgjedhore të rregullt, gjithëpërfshirëse dhe të drejtë.

Zgjedhjet lokale në Kosovë zhvillohen çdo katër vjet dhe përfshijnë zgjedhjen e kryetarëve dhe asambleve komunale në 38 komunat e vendit.

Të fundit